image Dumoshi: Synojmë finalizimin e objektit të Teatrit, Operës dhe Baletit

Art & Dizajn

Dumoshi: Synojmë finalizimin e objektit të Teatrit, Operës dhe Baletit

news image

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti në takim Këshillin e ri Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës, i cili është në përbërje të Leonora Rexhepi, Luljeta Ademi, Lejla Pula, Agim Selimi dhe Zethane Bahtiri-Gimolli, përfaqësuese e MKRS-së.

Siç bëhet e ditur në komunikatën ministrore, Dumoshi i informoi Këshillin për punën dhe planet që MKRS-ja po bën për kulturën, në këtë kontekst edhe për avancimin e dokumenteve ligjore e strategjike për Baletin Kombëtar të Kosovës.

Një ndër sfidat e cila ka pasur vonesa dhe nuk ka arritur të konkretizohet ende është objekti i Teatrit të Operës dhe Baletit, për të cilin ministrja tha se është e interesuar që të finalizohet si proces dhe ky projekt të marrë jetë.

Ministrja tha se “kemi shumë artistë të talentuar dhe është mëkat që mos të kenë hapësirën e duhur dhe të nevojshme ku të realizojnë aktivitetet e tyre. Si ministre dhe ministria që drejtoj, jemi të interesuar që sa më shpejtë të jetësohet projekti i objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit. Kemi mbajtur komunikim të vazhdueshëm me Komunën e Prishtinës, ashtu që hapësira që është paraparë për ndërtimin e këtij objekti të rëndësishëm të kulturës në Kosovës, afër Fakultetit Teknik në Prishtinë, të ndahet për projektin në fjalë”, theksoi ministrja, duke i bërë thirrje edhe komunitetit artistik që të japin kontributin e tyre dhe ngritur zërin për këtë çështje.

“Projektet garuese për objektet e teatrit do të bëhen transparente dhe qytetarët do të kenë mundësinë që të japin kontributin e tyre në përzgjedhjen e projektit më të mirë”, tha ndër të tjera ministrja.

Një ndër temat që është edhe një preokupim, është edukimi i gjeneratave të reja në fushën e baletit. Për këtë ministrja tha se do të punojnë bashkërisht që të zgjidhet çështja e shkollës së baletit dhe ajo si ministre do të lobojë dhe do të komunikojë edhe me Ministrinë e Arsimit për të zgjidhur këtë problematikë, sepse siç tha ministrja “nuk na falet si shoqëri nëse e lëmë që baleti të shuhet në vendin tonë e mos të ketë breza të rinj të edukuar në këtë fushë”.

Anëtarët e Këshillit të Baletit thanë se do të punojnë dhe të angazhohen për të avancuar baletin, duke u fokusuar edhe në edukimin e brezave të baletit në Kosovë, duke vazhduar traditën e profesorit të Ahmet Brahimajt. /Gazeta Sinjali/