Ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, ka takuar në Departamentin e Shtetit zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropë dhe Euroazi dhe të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Bashkëbiseduesit konfirmuan përkushtimin e vendosur të Malit të Zi në rrugën dhe vlerat evropiane dhe evroatlantike, si dhe shkëmbyen informacione dhe mendime për situatën politike, të sigurisë dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor.
Zëvendës-ndihmësi, Escobar, theksoi mbështetjen e qartë të SHBA-së për procesin e integrimit evropian të Malit të Zi.
Një nga temat kryesore të bisedës ishte eliminimi i pasojave të dëmshme të sulmit kibernetik ndaj të cilit ishte ekspozuar Mali i Zi.
Me këtë rast, në takim u konfirmua gatishmëria e SHBA-së që përmes mbështetjes dhe asistencës së ekspertëve të mbështesë Malin e Zi, si në riparimin e dëmeve, ashtu edhe në një kontekst më të gjerë, duke krijuar një kornizë normative dhe infrastrukturë institucionale për parandalimin e sulmeve të këtij lloji dhe forcimin e sistemit të sigurisë kibernetike të Malit të Zi.