Tetë persona janë arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar në kuadër të një hetimi për një rrjet ndërkombëtar të burrave të dyshuar se drogtonin dhe abuzonin seksualisht me gra që i njihnin, njoftoi të enjten Agjencia Kombëtare kundër Krimit (NCA).
Sipas NCA-së, hetimi zbuloi ekzistencën e një rrjeti global, të përbërë kryesisht nga burra, të dyshuar për kryerjen e sulmeve seksuale të lehtësuara me përdorimin e substancave narkotike. Hetimet nisën në vitin 2025, pas një informacioni të siguruar nga gazetarë gjermanë lidhur me një platformë online që shërbente për organizimin dhe lehtësimin e këtyre veprave penale.
Zëvendësdrejtori i NCA-së, Nigel Leary, tha se autoritetet kanë zbuluar “një rrjet vërtet ndërkombëtar”, me anëtarë të identifikuar në dhjetëra shtete në të gjitha kontinentet.
Si rezultat i hetimeve mbi platformën online, emri i së cilës nuk është bërë publik, deri më tani janë arrestuar tetë persona në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa janë duke u zhvilluar gjithsej 14 hetime të ndara brenda dhe jashtë vendit.
NCA bëri të ditur se ka identifikuar më shumë se 270 persona të lidhur me forumin online dhe degët e tij.
Ndërkohë, në një operacion të veçantë kundër këtyre krimeve, Agjencia Evropiane e Zbatimit të Ligjit (Europol) njoftoi se vendet pjesëmarrëse kanë identifikuar 156 viktima dhe autorë të dyshuar të sulmeve seksuale të kryera me përdorimin e drogës.
“Abuzimet seksuale të lehtësuara me drogë nuk janë më raste të izoluara, por po organizohen gjithnjë e më shumë në mënyrë të strukturuar, të ndihmuara nga platformat digjitale”, deklaroi Leary, raporton Euronews, transmeton Sinjali.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!