Një grup i dyshuar kriminal, që sipas SPAK-ut merrej me trafikimin e sasive të konsiderueshme të drogës drejt Finlandës, do të përballet me drejtësinë. Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim 11 persona, të akuzuar për përfshirje në një rrjet të strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve, aktiviteti i grupit dyshohet se ka nisur që nga viti 2022, ku persona me shtetësi shqiptare dhe të huaj, të organizuar dhe drejtuar nga shqiptarë, kanë dërguar lëndë narkotike drejt Finlandës.
Droga, sipas SPAK-ut, më pas shpërndahej në disa qytete të Finlandës përmes një rrjeti personash të tjerë, me qëllim krijimin e të ardhurave të paligjshme.
Për këtë veprimtari, ndaj 11 të pandehurve rëndojnë akuza për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për krijim, organizim ose drejtim të një grupi të tillë.
Një pjesë e personave të përfshirë në këtë rrjet, sipas njoftimit të SPAK-ut, janë arrestuar dhe dënuar më herët edhe nga gjykatat në Finlandë për veprimtari kriminale.
Hetimet kanë zbuluar një skemë ku droga transportohej drejt shtetit nordik, ndërsa më pas shpërndahej përmes bashkëpunëtorëve në qytete të ndryshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!