Drejtori i Policisë Rajonale në Gjakovë, Lumni Graishta, ka konfirmuar raportimet e Gazetës Sinjali për vdekjen e zyrtarit të ekipit reagues të Stacionit Policor në Gjakovë, Ilir Gjoka.
Gazeta Sinjali raportoi se Gjoka vdiq në Klinikën Infektive si pasojë e koronavirusit.
Ndërkohë, Graishta konfirmoi se zyrtari i PK-së fillimisht u trajtua në Spitalin Rajonal të Gjakovës, por, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore u dërgua për në QKUK.
“Ju konfirmojmë se kemi pranuar njoftimin nga IKSHP për vdekjen e kolegut tonë i cili që nga dita e premte ka qenë i hospitalizuar në spitalin rajonal në Gjakovë ndërsa dje, pas përkeqësimit të gjendjes është transportuar për në klinikën infektive në QKUK ku sot në orët e vona të mbrëmjes ka ndërruar jetë. I ndjeri ka qenë zyrtar në ekipet reaguese të Stacionit Policor në Gjakovë”, konfirmoi Graishta për Gazetën Sinjali.
Zyrtari i PK-së vdiq ende pa i mbushur 40 vjeç, ndërkohë nuk janë dhënë detaje nëse i njëjti ka vuajtur edhe nga ndonjë sëmundje tjetër shoqëruese. /Gazeta Sinjali/