Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, sot deklaroi se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojnë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia. Teksa Gjuriq po e sfidon Qeverinë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është parë në Tiranë, raporton Gazeta Sinjali.
Një sinjalizues i Sinjalit ka dërguar fotografi në adresë të redaksisë, ku Sveçla është parë në orët e mbrëmjes në një ndër hotelet luksoze të kryeqytetit shqiptar, Hotel Plaza.
Ministri Sveçla shihet i relaksuar nën shoqërimin e dy personave të tjerë, teksa drejtori i Policisë në Veri deklaroi se vendimi për targat është politik dhe kundër komunitetit serb.
Gjuriq i bëri këto deklarata pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë dhe katër kryetarëve të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok).
Ai tha se me këtë vendim paraprakisht është informuar edhe drejtoria e përgjithshme në Prishtinë si dhe të gjithë akterët ndërkombëtarë.