image Drejtori i Klinikës së Mjekësisë Sportive: Jemi nën pikën zero, po rritet numri i pacientëve me COVID-19

Shëndetësi

Drejtori i Klinikës së Mjekësisë Sportive: Jemi nën pikën zero, po rritet numri i pacientëve me COVID-19

news image

Klinika e Mjekësisë Sportive që nga fillimi i pandemisë nuk ka pasur më shumë pacientë. Vetë për tre ditë kjo klinikë e destinuar për trajtim të rasteve me COVID-19, është mbushur me pacientë në kapacitetin që kjo klinikë mund të trajtojë, transmeton Gazeta Sinjali.

Kurse, aktualisht janë duke u trajtuar rreth 90 pacientë, të paktë janë ata që janë të vaksinuar.

Drejtori i Klinikës së Mjekësisë Sportive, Artan Ahmeti ka folur për gjendjen në këtë klinikë dhe kapacitetet që kanë në dispozicion për trajtimin e këtyre rasteve.

“Realisht ndoshta edhe nën zero, sepse një rritje kaq të shpejtë nuk e kemi pasur asnjëherë në asnjë valë. Ndërkaq numër kaq të madh të hospitalizuarve nuk e kemi pasur në asnjë valë deri tash. Është një numër shumë i madh dhe kërkesat për hospitalizim janë shumë të mëdha. Në Klinikën e Mjekësisë Sportive për tri ditë janë mbushur të gjitha kapacitete”, deklaroi Ahmeti për KP.

Vetëm në 24 orët e fundit në këtë klinikë janë pranuar 16 raste të reja, por Ahmeti thotë se gjendja e përgjithshme e tyre është stabile.

Në Klinikën Infektive 2, në objektin e Mjekësisë Sportive aktualisht janë 95 pacientë. Mundësitë për hospitalizim dhe kapacitet pothuajse janë të mbushura çdo ditë, por çdo ditë kemi edhe pranime dhe lirime. Kështu që vetëm gjatë 24 orëve të fundit i kemi pasur mbi 16 pranime dhe 13 lirime. Gjendja e përgjithshme e pacientëve është stabile, por kemi edhe me gjendje të rëndë. Shumica e pacientëve janë me oksigjeno-terapi”, thotë Ahmeti.

Kjo valë e shpërndarjes së coronavirusit, Ahmeti thotë se ka dalluar grupmoshat e prekura.

“Mosha e re është më e prekur, mosha mesatare e përbën shumicën e pacientëve të hospitalizuar. Kurse sa i përket simptomalogjisë afërsisht është e njëjta edhe pse herë pas here dominon aspekti gastrointestinal… Në përgjithësi është mosha mesatare, sepse vaksinimi në këtë grup moshë ka ngel, shumë pak janë vaksinuar”, shton ai.

Qytetarët që po trajtohen në Mjekësinë Sportive rrallë janë të vaksinuar.

“Shumica e pacientëve janë të pavaksinuar. Pesë pacientë janë me një dozë të vaksinës dhe katër pacientë janë me dy doza të vaksinës”, thotë ai.

Drejtori i Mjekësisë Sportive, Artan Ahmeti tregon edhe për organizimet tjera që po bëhen për rritjen e kapaciteteve.

“Jemi në diskutim të hapjes së kapaciteteve të reja, të cilat po diskutohen. Ende nuk është ndonjë vendim i saktë se kur, sepse ende ka vende të lira në bazë të planifikimeve. Mirëpo, është edhe një repart tjetër i Mjekësisë Sportive, të cilën sapo e vizituam me drejtorin. Ku edhe aty ka një kapacitet afër 100 pacientë të cilët mund të trajtohen”, shprehet ai.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë masat bazë anti-COVID, por që sipas tij, Ministria e Shëndetësisë duhet të vendos për masa të reja, meqë sistemi shëndetësor është i brishtë.

Në 24 orët e fundit janë konfirmuar mbi 2 mijë raste pozitive, ndërsa 16 persona kanë humbur betejën me këtë infektim.

/Gazeta Sinjali/