Gazeta Sinjali para pak minutave raportoi për arrestimin e Labinot Ukajt, vëllait të drejtorit të Inspektoratit në Prizren, Islam Ukimeri, pasi dyshohet se është i përfshirë në kontrabandim me migrantë.
Arrestimin e vëllait të tij e ka konfirmuar dhe vetë Ukimeri, i cili ka thënë për Sinjalin se nuk e di arsyen pse është arrestuar vëllai i tij. Ai ka mohuar të jenë kryer bastisje nga ana e Policisë së Kosovës në kompaninë turistike që është në pronësi të tij, ‘Bashkimi Reisen’.
E për të fshehur faktin se ai është pronar i kompanisë e cila ishte cak i Policisë, ku ndër të tjera u sekuestrua edhe një autobus i cili dyshohet se është përdorur për kontrabandim me migrantë, Ukimeri ka mbyllur llogarinë e tij personale në rrjetin social ‘Facebook’.
Në të dhënat e tij personale të paraqitura në profilin e tij, Ukimeri ka deklaruar se është pronar i kompanisë turistike ‘Bashkimi Reisen’.
Drejtori i Inspektoratit që në ‘cover’ të Facebook mbanë fotografinë me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totajn, ndër të tjera ka thënë për Sinjalin se ‘Bashkimi Reisen’ ka linja vetëm Prizren – Prishtinë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.