Gazeta Sinjali sot publikoi pamje ku shihet se si punëtoret shëndetësore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Pejë, duke pirë kafe në orën e parë të punës, më prioritet e kanë pirjen e kafesë sesa kontrollimin e pacientëve. Një paciente, me tension të lartë, nuk ka arritur të marrë shërbim në këtë qendër, më 21 dhjetor në orën 07:32. Lidhur me këtë rast, Sinjali ka kontaktuar drejtoreshën e QKMF-së në Pejë, Myrvete Salihin, e cila ka thënë se një veprim i tillë i personit nuk arsyetohet dhe se pritet të merren masa.
Salihi në një prononcim për Gazetën Sinjali ka thënë se punëtoret shëndetësore, që shihen në pamjet e publikuara nga Sinjali, është dashur të jenë në vendin e punës në atë kohë dhe jo në byfe.
Për këtë rast, drejtoresha Salihi ka shprehur keqardhje dhe ka thënë se ende as vet nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga stafi, se pse ka ndodhur një gjë e tillë. Pavarësisht kësaj, ajo shton se do të merret me rastin.
“Personeli e ka pauzën nga ora 09:30 deri në 10:00. Unë kom pritë nga personi me u lajmëru, ata s’janë lajmëru. Kom pritë një përgjigje prej shefit të Njësisë, por i njëjti është në pushim mjekësor dhe s’ka mundëso. Nga personi nuk kam marr përgjigje se pse ka ndodhur ashtu. Prandaj po e shoh që duhem me iniciu rastin, por edhe në prezencë të shefit të Njësisë. Në kohën kur është bërë videoja, ata është dashtë me qenë në vendin e punës, por ato kanë qenë në bufe”, tha Salihi për Sinjalin.
Drejtoresha ka bërë të ditur po ashtu se në kundërshtim me rregullat, personi shëndetësor që ka qenë në byfe e ka obliguar mirëmbajtësin e qendrës që t’ia marr telefonin qytetarit dhe t’ia fshijë videon.
“Stafi nuk ka ardhur te unë për ta lajmëruar rastin. Nga kamerat e kam parë që pacienti është ndalë dhe personeli e ka obliguar mirëmbajtësin që me ia marrë telefonin qytetarit, për me e fshi videon që e ka incizu. Kjo nuk është punë e mirëmbajtësit”.
Madje Salihi thotë se personeli shëndetësor e ka lajmëruar edhe Policinë, pa e lajmëruar atë si drejtoreshë, gjë që i ka penguar.
“Personeli më pas e ka thirrë Policinë dhe kjo më ka pengu mu. E kanë obligu mirëmbajtësin me e ndal qytetarin se tash vjen Policia. Unë e kam lajmëru Policinë se është dashtë me me kontaktu me mu. Jemi në shqyrtim edhe me Policinë, se pse nuk më janë lajmëruar mua si drejtoreshë se çfarë ka ndodhur”, shtoi tutje drejtoresha.
Djali i pacientes që nuk mori shërbim nga kjo qendër e mjekësisë e ka lajmëruar rastin te drejtoresha Salihi. Ajo ka treguar se djali i pacientes i ka thënë se videon e ka bërë pasi ka kërkuar shërbim dhe të njëjtin nuk e ka marrë.
“Qytetari ka ardhë të unë e ka dhënë një deklaratë, ku ka thënë se kam kërku shërbim, nuk më është ofru dhe pastaj kam bërë incizim. Ai më pas ka shku në Spital të Pejës. Sipas qytetarit, shërbimi nuk i është ofru, i kanë thënë se duhesh me shku në vendin ku duhet me u trajtu, por tensioni nuk pret. Personi është dashtë me ju përgjigj rastit.”