Kryetari i Komisionit Parlamentar serb për Republikën e Kosovës, Millovan Drecun ka thënë se është me rëndësi që populli serb ta dijë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Serbia është e gatshme për të gjitha llojet e negociatave dhe dialogut, por nuk do ta lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe as njohjen e saj.
Duke folur për Kosovo Online, Drecun ka shtuar se debati në seancën e mbajtur për Kosovën ka qenë i pritshëm, pasi ka deputetë që interesat e tyre personale i vënë para interesave kombëtare.
Ndërkohë, duke folur për vazhdimin e dialogut me Kosovën, Drecun ka shtuar se mesazhi kryesor i Vuçiqit është se kushti i Serbisë është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, pas së cilit përfaqësuesit serbë do të kthehen në institucione.
“Presidenti dërgoi një mesazh të qartë dhe u tha po të gjitha bisedimeve dhe negociatave, por jo anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe njohjes së shtetit të rremë të Kosovës”, – është shprehur Drecun për Kosovo Online.