“Anora”, historia e një punëtoreje seksi nga Nju Jorku së cilit i jepet një mundësi për të nisur një jetë të re kur martohet papritur me një klient të pasur rus, fitoi pesë çmime Oscar, përfshirë edhe çmimin prestigjioz për filmin më të mirë të vitit.
Përveç filmit më të mirë, Sean Baker fitoi çmimet për regjisorin më të mirë, skenarin origjinal dhe montazhin, duke barazuar rekordin për numrin më të madh të Oscarëve të fituar nga një individ në një vit të vetëm me Walt Disneyn, i cili kishte fituar për katër filma të ndryshëm në vitin 1954.
Ylli 25-vjeçar i filmit, Mikey Madison, u shpall aktorja më e mirë.
“Anora” u realizua me një buxhet prej gjashtë milionë dollarësh, një shumë fare e vogël për standardet e Hollywoodit. Ajo doli fituese në një garë të paparashikueshme për çmimin e filmit më të mirë, ku konkurronin gjithashtu thrilleri me temë papale “Conclave”, historia e emigrantëve hebrenj “The Brutalist”, dhe superproduksioni muzikor “Wicked”.
“Nëse po përpiqeni të bëni filma të pavarur, ju lutem vazhdoni. Na duhen më shumë. Kjo është dëshmia”, tha Baker, një regjisor i njohur për realizimin e filmave të vegjël për aktorë të pornos, punonjëse seksi transgjinore dhe njerëz të tjerë nga grupe të margjinalizuara.
Madison fitoi garën kundër Demi Moore, e cila ishte favoritja për çmimin e aktores më të mirë për rolin e saj në “The Substance”.
“Unë u rrita në Los Anxhelos, por Hollyëoodi gjithmonë më dukej kaq larg”, tha Madison në skenë. “Të jem këtu sot është vërtet e pabesueshme”.
Ajo gjithashtu shprehu mirënjohjen dhe mbështetjen e saj për komunitetin e punëtoreve të seksit, duke thënë “unë do të vazhdoj të jem një aleate”.
“Anora”, e shpërndarë nga kompania e pavarur Neon, ka gjeneruar 40 milionë dollarë në arkat kinematografike globale. “Wicked” ka arkëtuar 728 milionë dollarë.