image Darka e Lamës/ Presidenca: Nuk u shkelën masat anti-COVID

Kosovë

Darka e Lamës/ Presidenca: Nuk u shkelën masat anti-COVID

news image

Mbrëmë nën organizimin e Presidencës së Kosovës është mbajtur festa tradicionale e njohur si “Darka e Lamës”, në të cilën promovohen prodhimet vendore, shkruan Gazeta Sinjali.

Kjo darkë nxiti shumë reagime në publik dhe shumë vlerësuan se organizimi i saj ishte në kundërshtim me masat anti-COVID.

Mirëpo, kjo gjë është mohuar nga Zyra e Presidentes. Nga kjo zyre thanë se kjo darkë ishte në përputhje me masat antiCOVID dhe se të gjithë pjesëmarrësit ishin të vaksinuar.

“Darka e Lamës është darkë institucionale- shtetërore ku jane promovuar prodhimet vendore, ndaj është mbajtur si e tillë. Në të kanë marrë pjesë rreth 100 persona te ftuar. Salla në të cilën është mbajtur darka është e dedikuar për 800 persona, për raste të kongreseve, kurse 500 persona për organizime të tjera. Rrjedhimisht nuk ka pasur shkelje të rregullave pandemike”, tha këshilltari për Media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina.

Sipas tij, për organizimin e kësaj darke, Presidenca nuk ka pasur nevojë as për leje prej Qendrës Operative Emergjente të MSh-së, sepse nuk ishte kongres, apo konferencë, por një darkë tradicionale.

“Pra, një aktivitet protokollar me pjesëmarrjen e ambasadave të akredituara në Kosovë, prodhuesve vendorë, si dhe personaliteteve nga shëndetësia, arti, kultura, shkenca, inovacioni dhe përfaqësuese të grave të Krushës. Pjesëmarrës kishte vetëm në 15 për qind të të gjithë sipërfaqes. Largësia ndërmjet tavolinave ka qenë afro 2 metra. Pjesëmarrësit kanë qenë të vaksinuar”, tha ai./Gazeta Sinjali/