image Dosja "Qielli i Thyer" – prej ku vinte droga dhe si funksiononte grupi? Sinjali sjellë detajet ekskluzive

Ekskluzive

Dosja “Qielli i Thyer” – prej ku vinte droga dhe si funksiononte grupi? Sinjali sjellë detajet ekskluzive

news image

Një rrjet i organizuar kriminal që dyshohet se është marrë me trafikim ndërkombëtar të narkotikëve dhe krim kibernetik është goditur nga Policia e Kosovës, në një aksion të gjerë të zhvilluar të martën me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Lidhur me rastin, Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht gjatë ditës së sotme, ku në kuadër të këtij operacioni, i koduar “Qielli i Thyer”, janë arrestuar 22 persona dhe janë bastisur gjithsej 47 lokacione në katër rajone të vendit: Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Gjilan.

Por, prej ku erdhi droga, si shpërndahej në Kosovë, në shtetet e rajonit dhe ato të BE-së?

Ne dosjen e rastit, të siguruar nga Gazeta Sinjali, thuhet se ky grup gjatë periudhës 2019 deri më 3 qershor 2025 ka kryer veprën penale: Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Kjo me qëllim të përfitimit financiar.

dosjen e siguruar nga Gazeta Sinjali, thuhet se “të pandehurit duke qenë pjesë e këtij grupi kriminal të organizuar që merreshin me trafikimin e lëndëve narkotike: kokainë, heroinë, marihuanë”.

Trafikimi sipas dosjes, bëhej nga shtetet e Amerikës së Jugut, Iranit dhe Turqisë për në Kosovë.

“Aktiviteti i tyre kriminal realizohej fillimisht duke aranzhuar porositë e narkotikëve nga shtetet e lartpërmendura dhe përmes pjesëtarëve të këtij grupi  sigurohen që narkotikun ta fshehin nëpër kontejnerë të ndryshëm për bartjen e mallrave të ndryshme, përmes anijeve transportuese, përmes kamionëve për transport mallrash, përmes veturave të pajisura me bunker duke e kamufluar nëpër vende të posaçme të rregulluar ekstra për fshehjen narkotikut”.

“Të njëjtën më pas përmes rrugëve tokësore, porteve detare, përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut e sjellin në Kosovës, kurse më pas pjesëtarët e këtij grupi kriminal e bënin përzierjen e narkotikut me sodë bikarbonat dhe përzierës të tjerë më qëllim të shtimit të peshës”, thuhet në dosjen e siguruar nga Gazeta Sinjali.

“Më pas e paketojnë me anë të një makine me presion dhe përsëri narkotikun e vendosin duke e kamufluar nëpër mjetet e transportit, duke e shitur tek blerësit në Serbi, Bosnje, Kroaci, Gjermani, Zvicër dhe shtete tjera të Unionit Evropian dhe një sasi në Kosovë”.

“Këtë aktivitet të pandehurit e bëjnë në bashkëpunim edhe me persona të tjerë brenda dhe jashtë Kosovës”.

Kush u arrestua dje?

Pas aksionit të koordinuar të antidrogës në disa qytete të Kosovës, Gazeta Sinjali ka siguruar emrat e disa prej personave të arrestuar, që dyshohet se janë të përfshirë në rrjet të organizuar për tregti të substancave narkotike.

Në Prishtinë, burimet tona konfirmuan se janë arrestuar: Lorik Tigani dhe Onur Vizdik.

Të dy janë emra të njohur për Policinë dhe Prokurorinë, pasi ndaj tyre vazhdojnë hetime edhe në një rast tjetër që lidhet me drogë të ardhur nga Turqia. Ata janë arrestuar në orët e para të mëngjesit gjatë bastisjeve në banesat e tyre, por nuk është gjetur ndonjë sasi narkotikësh apo provë e drejtpërdrejtë.

Gazeta Sinjali raportoi se në Pejë, janë ndaluar: Blerim Sharapolli, Kenan Brovina dhe Abedin Gjakova.

Po ashtu, burime të sigurta të Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se ndër të arrestuarit në Pejë janë edhe Rexhep Nikqi, pronar i kompanisë së karburanteve “Gryka Petroll”.

Çka u sekuestrua?

Si rezultat i këtij aksioni, autoritetet kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme të provave materiale, përfshirë: Lëndë narkotike, 129 vetura, 134.900 euro para të gatshme, 20.040 franga zvicerane, 490 dollarë amerikanë, 13.000 euro të falsifikuara, 9 orë dore, 36 armë të ndryshme, 1.569 fishekë dhe 1.292 copë municion, Pajisje për përpunimin dhe paketimin e heroinës dhe kokainës, pajisje teknologjike si laptopë, telefona, USB e dokumente tjera relevante.

Po ashtu, janë ngrirë llogari bankare me mbi 500 mijë euro dhe është vendosur ndalesë për pasuritë e paluajtshme të personave të përfshirë.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ky operacion është rezultat i një hetimi të gjatë dhe të detajuar kundër një grupi të dyshuar për krim të organizuar, që vepronte edhe përtej kufijve të Kosovës.

“Operacioni ‘Qielli i Thyer’ u mbështet nga një shkëmbim efektiv i të dhënave me autoritetet e Belgjikës, Francës, Holandës dhe Europol-it, që mundësuan një koordinim të ngushtë ndërkombëtar. Prokurori i PSRK-së ishte i pranishëm gjatë realizimit të urdhër kontrollit dhe e ka udhëhequr drejtpërdrejt operacionin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/