Leotrim Gashi, zyrtar i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u kap dje në flagrancë duke marrë 5 mijë e 850 euro ryshfet, nga dy biznese aplikuese dhe përfituese të subvencioneve nga kjo ministri. Sinjali ka mësuar detaje nga dosja e Prokurorisë për të dyshuarin dhe ju sjellë detaje.
Gazeta Sinjali ka siguruar kallëzimin penal ndaj Gashit, të ushtruar nga Policia e Kosovës.
Si u kap zyrtari i MKRS-së?
Ishte ora 13:30, kur Leotrim Gashi, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, në mënyrë të drejtpërdrejt, dje pranoi ryshfet afër 6 mijë euro. Në ato momente, ai u kap në flagrancë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
30-vjeçari pranoi këtë shumë të të hollave nga G.T (emër i njohur për redaksinë), përfituese e një granti në vlerë të 12 mijë e 500 euro, si dhe nga E.A, përfituese e një granti në vlerë të 7 mijë e 44 euro.
Këto dy biznese përfituan grantet sipas thirrjes së Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit për bizneset që do të krijohen “start-up me spin-off” dhe biznese fillestare “start-up”.
Zyrtari i MKRS-së shumën prej 5 mijë e 580 eurove ua kishte kërkuar bizneseve në fjalë, me arsyetimin se u kishte ndihmuar të përfitojnë grantet.
Ndaj të njëjtit, Sinjali mëson se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit.
Leotrim Gashi, me vendbanim në Skenderaj, dyshohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.