image Dorëzohet djali i prokurores që dyshohet se tentoi ta godiste qëllimisht me veturë zyrtarin e Qendrës për Punë Sociale

Kosovë

Siguri/ Dorëzohet djali i prokurores që dyshohet se tentoi ta godiste qëllimisht me veturë zyrtarin e Qendrës për Punë Sociale

news image

Dritan Syla, djali i prokurores M.Sylajt, në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, që po dyshohet se kishte tentuar ta godiste me veturë një zyrtar të Qendrës për Punë Sociale, është lajmëruar gjatë mbrëmjes së djeshme në Policinë e Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Syla kishte qenë në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi që dyshohet se kishte tentuar qëllimisht ta godiste me veturë, zyrtarin e Qendrës për Punë Sociale në Gjakovë. Rasti është konfirmuar nga zyrtarja për informim në Policinë e Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj.

Ajo ka thënë se personi i dyshuar është paraqitur për intervistim dhe është dërguar në mbajtje.

“Në ora 22:15 minuta, i dyshuari me iniciale D.S., është paraqitur për intervistë dhe është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorisë”, ka deklaruar Podrimaj për Gazetën Sinjali.

Gazeta Sinjali kishte raportuar gjatë ditës së djeshme për një incident që kishte ndodhur të premten në Gjakovë. Pretendimet e viktimës janë se Syla kishte tentuar që qëllimisht ta godiste me veturë.

“Me datë 22.11.2019 në ora 13:00, në stacionin policor Gjakovë, ankuesi mashkull, kosovar, shqiptar, ka raportuar se përderisa ishte duke ecur përgjatë rrugës ‘Marin Barleti’, një person i dyshuar kishte tentuar ta godas me automjetin e tij që ishte në lëvizje. Policia ka iniciuar rastin në konsultim me prokurorin e shtetit dhe njëkohësisht janë në kërkim të personit të dyshuar”, kishte deklaruar Podrimaj për Gazetën Sinjali.

Kujtojmë se Syla ditë më parë kishte pasur një tjetër problem me punëtor të kësaj Qendre për Punë Sociale. Në fillim të muajit tetori ai kishte pretenduar se është sulmuar fizikisht nga sigurimi i kësaj qendre.

Pretendimet e Dritan Sylës kishin qenë se kishte shkuar për të ndërruar orarin e takimit me fëmijët e tij, e më pas sipas pretendimeve të tij ishte sulmuar fizikisht./Gazeta Sinjali/