Drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Mimoza Berbatovci-Ukimeraj, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë pas pesë vitesh udhëheqje.
Përmes një njoftimi publik, ajo ka bërë të ditur se vendimi i saj erdhi pas, siç ka deklaruar, mungesës së bashkëpunimit institucional me strukturat udhëheqëse të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dhe QKUK-së, si dhe për shkak të presioneve të vazhdueshme gjatë ushtrimit të detyrës.
Berbatovci-Ukimeraj ka thënë se ka tentuar ta udhëheqë klinikën me profesionalizëm dhe transparencë, por sipas saj, rrethanat e krijuara kanë vështirësuar realizimin e përgjegjësive në interes të pacientëve dhe stafit mjekësor.
Gjatë mandatit të saj, ajo ka përmendur disa projekte të realizuara, përfshirë funksionalizimin e qendrave të hemodializës në Rahovec dhe Podujevë, futjen e matjes së niveleve të barnave imunosupresive për pacientët e transplantuar, si dhe avancime në shërbimet e trajtimit të pacientëve me sëmundje të veshkave.
Ajo ka bërë të ditur se disa projekte kanë mbetur ende në proces, përfshirë shërbime të reja diagnostikuese dhe renovimin e hapësirave të Klinikës së Nefrologjisë.
Drejtoresha në largim ka falënderuar stafin e klinikës për bashkëpunimin dhe ka theksuar se dorëheqja e saj është një vendim i marrë mbi bazën e përgjegjësisë profesionale.
Mimoza Berbatovci-Ukimeraj ishte emëruar në këtë pozitë përmes një konkursi publik dhe ka udhëhequr Klinikën e Nefrologjisë për dy mandate.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!