Kryetarët e komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë thënë të dielën dorëheqje para kuvendeve përkatëse bashkë me këshilltarët në kuvendet komunale nga radhët e Listës Serbe.
Dorëheqjet erdhën një ditë pasi Lista Serbe njoftoi për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Goran Rakiq, kryetari i Listës Serbe, ka thënë më 5 nëntor se vendimi për largim nga institucionet do të zbatohet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrim të makinave dhe të respektojë marrëveshjet e Brukselit.
Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Autoritetet në Kosovës kanë akuzuar Serbinë për vendimin e Listës Serbe dhe u kanë bërë thirrje serbëve në Kosovë që të mos jenë pre e atyre që i kanë konsideruar manipulime serbe.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të rrisë tensionet. Borrell ka thënë se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale.
Në orët e mbrëmjes së 5 nëntorit, NATO-ja ka thënë se misioni i saj në Kosovë, KFOR mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të intervenuar në rast se rrezikohet stabiliteti.