image Doli nga shtypi libri "Autobiografi" i profesorit, Hasan Cërvadiku

Libra

Doli nga shtypi libri “Autobiografi” i profesorit, Hasan Cërvadiku

news image

TË NDODHESH NË MES FORTUNASH DHE TË QËNDROSH I PAEPUR

Një autobiografi e një mësimdhënësi e po aq edhe e arsimit shqip në Kosovë

Hasan Cërvadiku, Autobiografi, Shtëpia botuese ”Lena Grafik”, Prishtinë, 2024.

Kur m’u ofrua dorëshkrimi për ta lexuar dhe vlerësuar, në cilësinë e recensentit, e mirëprita me kënaqësi, pasi që afërsisht e dija se do të ishte një libër tepër i veçantë, jo vetëm nga aspekti i narracionit, si pasqyrim i një rrjedhe historike lidhur me arsimin në gjuhën shqipe në Kosovë, por po aq edhe për shkak të dokumentimit shumë të pasur të krejt asaj që shkruhet – dhe pikërisht kjo e bën që ky libër të shprehë shumë më tepër sepse dëshmitë flasin vetë. Përveç kontributit 44 vjeçar në arsim, profesori Hasan Cërvadiku, edhe me këtë autobiografi, vazhdon të japë kontributin e tij për të ndriçuar pjesërisht fatin e arsimit shqip në Kosovë.

Autobiografi është një libër që është mjaft i rrallë dhe tepër karakteristik, sepse në të janë ndërthurur shumë aspekte natyrshëm në një tërësi historike. Ajo është jetëpërshkrim i autorit të saj, profesorit Hasan Cërvadiku, shkruar në vetën e parë njëjës; pra është vetë autori i cili na rrëfen. Por nuk është vetëm kaq. Në fakt, është shumë më tepër. Në këtë libër mund të ndiqet edhe zhvillimi arsimor në Kosovë, duke parë trajektoren e arsimimit të profesorit Cërvadiku: nga shkolla fillore, gjimnazi i ulët, Shkolla Normale 5-vjeçare, studimet albanologjike në Fakultetin Filozofik. Në këtë libër, po ashtu, frymon dashuria e pafund e mësimdhënësit për arsimin dhe edukimin e brezit të ri, e cila, sikurse e thotë autori duke cituar Eqrem Çabejn, nuk ishte vetëm profesion, por edhe mision.

Nuk e bënin të tillë vetëm përkushtimi për edukimin e brezit të ri, dhe sfidat edukative, por edhe rrjedha historike nëpër të cilën kaluan shqiptarët e Kosovës, e që, në miniaturë, pasqyrohen në rrëfimet autobiografike të profesorit Hasan Cërvadiku: pengesat nga brenda të regjimit serb kundër arsimimit në gjuhën shqipe deri te ndalimi i saj, mbyllja e shkollave shqipe, e si rezistencë kombëtare – vazhdimi i organizimit të arsimimit shqip më vete në shtëpi private të kthyera në shkolla nën ndjekjen, përndjekjen, arrestimet e burgosjet si dhe maltretimet e panumërta të mësimdhënësve e të nxënësve, por edhe përpjekja për t’u rikthyer në objektin shkollor pasi që shkolla ishte e nxënësve dhe ata aty duhej të mësonin. Në të tria këto dimensione, ky libër autobiografik është një dëshmi më vete e kohës. E vlerën ia shtojnë këtij libri faksimilet e shumta, që janë faktografi e cila flet vet aq shumë (ndaj dhe autori vetëm i ka prezantuar, thuaja pa i komentuar fare). Sikur të kishte libra të këtillë më shumë, kështu bindës dhe faktografik, do të hidhej shumë dritë në rrugëtimin e arsimit në gjuhën shqipe por edhe të heronjve të tij: mësimdhënësve. Një ndër këta të shquar madje është edhe profesori Hasan Cërvadiku.

PASIONI I PROF. HASANIT PËR ARSIMIN NUK U SHUA KURRË

Ishte viti 2012 kur Ermon Cërvadiku, pjesëtar i kabinetit tim si zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, më tha se babai i tij kishte dëshirë të më takonte. Kur më tha se tërë jetën ia ka kushtuar arsimit, atëherë pranova dhe shkova ta takojë, në banesën e tij në lagjen Dardania në Prishtinë. Më pritën me bujari. Profa Hasan ishte paksa fizikisht i lodhur, se ishte mbi të shtatëdhjetat, por shumë i freskët dhe pasionant për të biseduar përgjithësisht e për arsimin posaçërisht. Dhe unë tërë jetën kam pasur një respekt të madh për mësimdhënësit, pikërisht për shkak të kontributit që kanë dhënë në arsimimin e brezave dhe, me këtë, edhe në formimin e një klase të re intelektualësh e njerëzish të arsimuar. Pas pak minutash, biseda nisi të shtjellohej thua se ishim njohur me vite, ani se ishte hera e parë që po e takoja.

Shkurtimisht më paraqiti rrugëtimin e arsimimit të tij, të punës me nxënës, të rolit udhëheqës të tij si zëvendësdrejtor e pastaj si drejtor, të kontributit e të pengesave nga serbë të mekanizmave të sigurimit, të rezistencës, por edhe të xhelozive dhe të shpifjeve e etiketimeve të ndryshme. Rrëfimi u bë edhe më interesant, madje shumë më interesant, kur më solli një kuti me dokumentacion origjinal ndër shumë vite, në serbisht e në shqip, emra të shumtë, vula të llojllojshme, regjime të ndryshme. Dhe secilën ma shpjegonte. Ai fliste me aq pasion, me një zjarr të pashuar dashurie për arsimin, sa e ndjeja keqardhjen e tij se përse mosha e kishte detyruar të pensionohej të mos mund të kontribuonte.

Në fund, i thashë se përse nuk i përmbledh të gjitha e t’i botojë si libër, pasi që këto ishin dëshmi për të cilat ka nevojë shumë. Më tha se ishte duke punuar në një projekt të tillë. Dhe ja, më në fund, djemtë e tij, Agoni e Ermoni, e publikuan autobiografinë e profës Hasan Cërvadiku.

DËSHMI E FAKTOGRAFI ME VLERA TË MËDHA

Libri ndahet në katër pjesë, secila ka një rëndësi të veçantë.

Në pjesën e parë jepen të dhëna historike për origjinën e familjes Cërvadiku, me të dhëna të reja. Kjo pjesë flet për shpërnguljen me dhunë ushtarake të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877-1878. Risia që sillet në këtë libër është gjeneza e familjes: fshati Cërvadik ndodhej në Gajtanin e Epërm, në rrethin e Jabllanicës, komuna e Medvegjës dhe kjo ilustrohet me një hartë (f. 13). Për shkak të shpërnguljeve të dhunshme nga regjimi serb, edhe familja Cervadiku largohet për t’u vendosur në Drenicë.

Në pjesën e dytë jepen të dhëna për fshatin Poklek.

Në pjesën e tretë jepen trembëdhjetë rrëfimet autobiografike të profesor Hasan Cërvadikut. Në një farë mënyre, ato janë një pasqyrë e shkurtër, e përmbledhur, e zhvillimit të arsimit në gjuhën shqipe: arsimi fillor e gjimnazi, në mungesë objektesh shkollore, u mbajt në shtëpi private (1946-1954). Shkolla Normale ishte pesëvjeçare (e përfundoi më 1959). Menjëherë fillon punën si mësimdhënës. Në vitin 1960 regjistron Albanologjinë (drejtimin Gjuhë dhe Letërsi Shqipe) në Fakultetin Filozofik, për t’i përfunduar më 1964. Punon si mësimdhënës dhe zëvendësdrejtor në shkollën fillore tash “Faik Konica”. Në vitin 1966 punësohet profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkollën Normale, ku do të punojë deri në fund. Kjo shkollë do të shndërrohet në Akademi Pedagogjike në vitin 1972, kurse nga viti 1979 QAEMO për veprimtari kulturologjike, që më vonë do të quhet Gjimnazi Filologjik. Është interesante përshkrimi se si regjimi serb donte ta largonte nga puna profesorin e historisë Xhevat Krasniqin, për shkak se ishte i biri i atdhetarit të shquar Metush Krasniqit. Profesor Hasani, në cilësinë e sekretarit të LK të shkollës, do të përballet, do të eskivojë, por nuk do ta largojë, por do ta mbrojë. Edhe për demonstratat e vitit 1981 rrëfen profesor Hasani se si ka vepruar në cilësinë e zyrtarit dhe udhëheqësit të shkollës: asnjë pjesëmarrës në demonstratë nuk ka humbur vitin, edhe pse kjo i kërkohej.

Gjendja do të shkonte duke u përkeqësuar dhe arsimi shqip ishte në thumb e i rrezikuar vazhdimisht, por pas vitit 1990 edhe për t’u mbyllur, dhe profesor Hasani nuk do të tërhiqet nga këto rreziqe, por do të qëndrojë e të përballet me sfidat, gjithnjë në mbrojtje të shkollës shqipe. Regjimi serb do t’ua ndalojë të ardhurat mësimdhënësve shqiptarë, do t’i shkarkojë nga pozitat drejtuese, do t’i largojë me polici nga objekti shkollor. Por ky nuk ishte fundi. Shkollat ishin të nxënësve dhe ato duhej t’u ktheheshin nxënësve: pikërisht këtë e bën profa Hasan me kolegët e tij mësimdhënës kur në vitin 1992 vendosin të kthehen në objektin shkollor e aty ta vazhdojnë shkollimin. Në këtë autobiografi parashtrohet gjendja nga brenda e arsimit në shqip, përpjekja për kuadro, lufta nga brenda e kuadrove serbe, e organeve të sigurimit, gjë që pak njihet e ka nevojë të njihet më mirë, sepse aty ishte një betejë e gjatë, e vazhdueshme dhe e paepshme, sikurse mund të kuptohet edhe nga kjo paraqitje mjaft telegrafike e profës Hasan. Hasan Cërvadiku merrej edhe me aktivitete të ndryshme kulturore, teatrore e sportive. Ai kishte prirje edhe si poet, gjë që shihet nga ca poezi në fund të pjesës së tretë të librit.

Kurse pjesa e katërt paraqet disa kujtime nga bashkëpunëtorët mësimdhënës.

Ajo që i jep vlerë edhe më të madhe këtij libri janë fotografi të shumta të kohës, emra të shquar shkrimtarësh e poetësh, faksimile vendimesh të ndryshme, të cilat dëshmojnë si faktografi një realitet tepër të hidhur, por edhe një qëndresë mjaft epike të mësimdhënësve shqiptarë, e posaçërisht të profës Hasan. Nuk ishte pasuria ajo që e kishte joshur profën Hasan, sepse po të ishte ai objektivi kishte rrugë të tjera, por ishte pasioni i tij për mësimdhënie, dashuria e pafund për arsimin dhe edukimin e brezave, kontributi kombëtar përmes arsimit – dhe ky u bë mision i jetës së tij.

Hajdin Abazi, Dr. As.
recensent

/GazetaSinjali/