Ecja në terrene malore është atraksion më vete për shumë qytetarë. Kosova njihet për bukuritë natyrore që ka, si dhe për bjeshkët që janë shpesh herë destinacion i frekuentimit edhe nga shtetas të huaj. Ngjitja nëpër bjeshkë mund të jetë edhe e rrezikshme për shkak të pranisë së kafshëve në atë zonë. Me një rrezik të tillë janë përballur së fundi disa shtetas të Çekisë në bjeshkët e Brodit, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se pesë shtetas çek teksa po ecnin në bjeshkët e Brodit janë përballur me një grup të qenve, të cilët kanë sulmuar njërin nga ta.
Si pasojë e lëndimeve që mori, ai është dërguar me autoambulancë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash, ku edhe mori ndihmën e parë mjekësore.
Por për shkak të natyrës së lëndimeve, viktima është dërguar në spitalin rajonal në Prizren, ku sipas burimeve, ka marrë trajtim mjekësor në gjymtyrët e tij që u kafshuan nga qentë. Ai po vazhdon trajtimin e mëtutjeshëm në spitalin e Prizrenit dhe gjendja e tij shëndetësore është stabile.
Lidhur me rastin është lajmëruar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë njoftuar Prokurorin i Shtetit. Ky i fundit ka rekomanduar që rasti të kualifikohet si kundërvajtje.