Dy persona kanë përfunduar nën hetim në Leposaviq, pasi Policia u gjeti armë zjarri gjatë një aksioni në terren, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Slavisa Tomic, rreth 35-vjeçar dhe Goran Dimitrijeviq, rreth 47-vjeçar.
Sipas burimeve të Sinjalit, më 17 korrik, rreth orës 13:05, zyrtarët policorë, gjatë detyrave operative në fshatin Guvnishtë, ndaluan një veturë Golf 2, ku njëri nga të dyshuarit posedonte një armë të kalibrit të vogël “Zbrojovka Brno”, të pajisur me shënjestër optike dhe karikator me tetë fishekë.
Gjatë bisedës me policët, i dyshuari ka deklaruar se kishte dalë për gjueti së bashku me personin e dytë.
Pas urdhrit të Prokurorit të Shtetit, Policia ka kryer kontroll edhe në vendbanimin e njërit prej të dyshuarve, ku në ballkonin e shtëpisë është gjetur dhe sekuestruar edhe një pushkë gjuetie “Baikal” me dy tyta, prodhim rus.
Të dy të dyshuarit janë shoqëruar në Polici dhe janë intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!