Një udhëtar i ardhur me fluturimin Hamburg–Prishtinë është ndaluar nga Dogana e Kosovës pasi gjatë kontrollit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës në bagazhin e tij janë gjetur 11 fishekë për armë.
Sipas njoftimit zyrtar, udhëtari kishte kaluar në kanalin e gjelbër, por gjatë skanimit të bagazhit zyrtarët doganorë kanë identifikuar sende të dyshimta, duke kryer më pas kontroll fizik të valixhes.
“Gjatë kontrollit janë gjetur 11 copë fishekë për armë”, thuhet në njoftim.
Pas zbulimit të municionit, është njoftuar menjëherë Policia e Kosovës në Aeroportin e Prishtinës, e cila ka konfiskuar fishekët dhe ka nisur procedurat ligjore ndaj rastit.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin e hyrjes së mallrave të ndaluara dhe ruajtjen e sigurisë së qytetarëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!