image Dogana asgjëson mbi 6 mijë maica të dyshuara si produkte të falsifikuara

Siguri

Dogana asgjëson mbi 6 mijë maica të dyshuara si produkte të falsifikuara

news image

Dogana e Kosovës ka asgjësuar më shumë se 6 mijë maica pasi u konstatua se ato cenonin të drejtat e pronësisë intelektuale dhe nuk plotësonin kriteret ligjore për t’u hedhur në treg.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti nisi më 2 qershor në Terminalin Doganor në Mitrovicë, ku gjatë procedurës së zhdoganimit u identifikuan dyshime lidhur me origjinën dhe markën tregtare të produkteve. Pas një kontrolli të detajuar nga zyrtarët doganorë, u ngritën dyshime për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.

Në vazhdim të procedurës, Dogana kontaktoi bartësin e të drejtave të markës, i cili konfirmoi se produktet ishin në kundërshtim me të drejtat e mbrojtura të pronësisë intelektuale.

Si rezultat, autoritetet ndaluan lirimin e mallit për qarkullim, iniciuan procedurë kundërvajtëse ndaj importuesit dhe vendosën asgjësimin e të gjithë ngarkesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Procesi i asgjësimit u realizua më 8 korrik nën mbikëqyrjen e Doganës së Kosovës, me qëllim që produktet të mos përfundonin në tregun vendor.

Dogana theksoi se veprimet janë ndërmarrë në zbatim të ligjit për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës, ndërsa rasti është proceduar si kundërvajtje doganore.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/