image Dodik sfidon autoritetin qendror të shtetit, padit veten

Rajon

Dodik sfidon autoritetin qendror të shtetit, padit veten

news image

Lideri i entitetit serb në Bosnje njoftoi ka ngritur padi ndaj vetes dhe ndaj disa zyrtarëve të tjerë të lartë, në përpjekjen e tij të fundit për të sfiduar autoritetin qendror të shtetit.

Millorad Dodik, president i entitetit të Republikës Sërpska, njoftoi se ka ngritur padi penale ndaj vetes, kryetarit të Parlamentit boshnjak dhe dhjetëra ligjvënësve lidhur me legjislacionin që rregullon kompetencat e zyrtarëve.

Lëvizja e Dodikut është pjesë e rezistencës së kamotshme ndaj autoriteteve qendrore të Bosnjës dhe është pjesë e një mospajtimi lidhur me votimin në Asamblenë e Republikës Sërpska për të mos njohur më vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës.

Më 27 qershor, Asambleja e Republikës Sërpska votoi një sërë hapash të orkestruara nga Dodiku dhe aleatët e tij serbë, që synojnë të refuzojnë strukturat e ndarjes së pushtetit që ekzistojnë në Bosnje. Këto ndarje të pushtetit janë përcaktuar në Marrëveshjen e Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje.

Marrëveshja e arritur më 1995 ka ndarë funksionet qeveritare, administrative dhe funksionet e tjera përmes vijave etnike mes shumicës boshnjake, serbe dhe kroate.

Legjislacioni që ka marrë mbështetjen e Dhomës së Ulët të Parlamentit të Republikës Sërpska, duhet të marrë edhe mbështetjen e Dhomës së Lartë dhe miratimin e nivelit presidencial në këtë entitet.

Nëse merr këtë mbështetje, legjislacioni mund të hyjë në fuqi në gusht. Nëse ndodh kjo, atëherë do të ishte një goditje për kontrollet e pushteteve në Bosnje.

Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, po ashtu mund të anulojë legjislacionin, për të ofruar funksionim të institucioneve civile në Bosnje e Hercegovinë.

Gjykata Kushtetuese e Bosnjes po ashtu mund të shfuqizojë legjislacionin pasi ai të hyjë në fuqi, por Dodik dhe aleatët e tij me shumë gjasa do ta sfidonin autoritetin e këtij institucioni.

/GazetaSinjali/