James O’Brien është betuar si asistent i sekretarit të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike. Deri më tani, diplomati i njohur amerikan ka mbajtur pozitën si shef i Zyrës për Bashkërendim të Sanskioneve. Kush është O’Brien?
O’Brien është një figurë e njohur politike. Madje, gjatë periudhës 1989-2001, ai ka shërbyer si këshilltar i lartë i ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.
Po ashtu, i njëjti ka pasur rol edhe në menaxhimin e Marrëveshjes së Dejtonit për arritjen e paqes në Bosnjë e Hercegovinë. O’Brien pra, ka përvojë në Ballkan, madje, për një periudhë ka mbajtur madje edhe pozitën si emisar i posaçëm për rajon.
O’Brien ka udhëhequr një program të madh e të suksesshëm sanksionesh dhe ka këshilluar për një varg çështjes, përfshirë bisedimet e paqes në Evropë, marrëveshjet shkencore e mjedisore, tranzicionet pas-sovjetike të Rusisë dhe Ukrainës si dhe nismat për të hetuar e ndjekur penalisht persona përgjegjës për krime lufte, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Nga gushti i vitit 2015 deri në janarin e vitit 2017, O’Brien shërbeu si emisari i parë i posaçëm për çështje të pengjeve në administratën e ish-presidentit amerikan, Barack Obama.
Në tetorin e vitit 2021, O’Brien u nominua për të shërbyer si drejtor i Zyrës për Bashkërendimin e Sanksioneve në administratën e presidentit Biden, pozitë me rangun e ambasadorit. Më 6 prill 2022, nominimi i tij u konfirmua nga Senati i ShBA-së me 71 vota për e 26 kundër.
Para pak ditësh, O’Brien u diskutua sërish nga Senati Amerikan. Pikërisht në një seancë ku po diskutohej rreth emërimit të tij, u përmend edhe Kosova.
Senatori amerikan, Ben Cardin, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, pati disa fjalë për O’Brien.
Ai madje, u shpreh se në rast që ndizet ndonjë konflikt në Kosovë, “O’Brien do të ishte i gatshëm” në përballimin e situatës.
“Përtej pozitës së tij më të fundit, rezymeja profesionale e ambasadorit O’Brien mund të lexohet si blloqe të ndërtuara tamam për këtë pozitë. Duke qenë se ka shërbyer si Zëvendës Drejtor i Parë në Planifikim të Politikave dhe Emisar Presidencial për Ballkanin, ai do të mund të jetë i gatshëm nëse ndonjë konflikt do të ndizej në Kosovë.” – u shpreh Cardin.
O’Brien u betua dje për detyrën e tij të re në Departamentin e Shtetit. Me këtë rast, edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken shkroi disa fjalë në Twitter:
“I lumtur të mirëpres Jim O’Brien si asistent sekretarin për Çështje Evropian dhe Euroaziatike. Jemi me fat që kemi dikë me eksperiencën dhe përkushtimin e tij në këtë kohë kritike”.