image Dje u miratuan 29 masa anti-COVID, Zemaj paralajmëron sërish masa të reja

Shëndetësi

Dje u miratuan 29 masa anti-COVID, Zemaj paralajmëron sërish masa të reja

news image

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pas shtimit të rasteve të reja në Kosovë ka kërkuar një kujdes të shtuar për respektimin e masave antiCOVID-19, derisa ka kritikuar veprimin e qytetarëve që janë mbledhur masivisht me fëmijët sidomos natën e Halloween-it në kohë pandemie, raporton Gazeta Sinjali.

Zemaj tha se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm, duke shtuar se do të ketë masa të reja nëse rritet numri i infeksioneve.

“Duhet të jemi të kujdesshëm kur kemi rritje të infeksione në 10 ditët e fundit, pas një ulje paraprake. Ky dyjavor na ka vendosur në një situatë tjetër, për shkak të të cilit kemi marrë masa të reja. Sa i përket asaj se a është vala e parë apo e dytë, duhet të them se kemi të bëjmë me një virus të fshehtë, i cili nuk është lehtë i përballueshëm në raport me jetesën dhe trajtimin e këtij virusi. Duhet të jemi në gjendje të gjithë të ruajmë veten dhe njëri-tjetrin. Ndaj virusit askush nuk është imun nëse vëmendja dhe kujdesi nuk do të jetë i shtuar. Situatën duhet ta kthejmë situatën në kontroll të plotë, por do të ketë masa të reja nëse do të ketë rritje të infeksioneve”, ka thënë Zemaj në Debat Plus të TV Dukagjinit.

Kurse që Prishtina ka pasur rritje të rasteve të reja në ditët e fundit, ministri Zemaj tha se mund të merren masa selektive në segmente të caktuara, duke mos dhënë më shumë detaje.

Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë konfirmuar 486 raste të reja me koronavirus dhe janë shëruar 30 pacientë. /Gazeta Sinjali/