Dje në Kosovë ka mbërritur një ftesë e Gjykatës Speciale për një ish-ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili vjen nga zona e Dragashit, raporton Gazeta Sinjali. Ky ish-ushtar i UÇK-së, aktualisht punon në FSK.
Informacionin për këtë ftesë të dërguar nga Gjykata Speciale, e ka konfirmuar kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati. Gjatë një bisede për Gazetën Sinjali, Gucati tha se nuk e di nëse ish-ushtari i zonës së Dragashit është ftuar në cilësinë e dëshmitarit apo të dyshuarit, por të gjitha detajet do të mësohen gjatë ditës së hënë.
“Një ftesë e Specialës është ardhë dje, e kanë ftu një ish-ushtar të Dragashit. Ai do të udhëtojë më 5 tetor për në Hagë”, tha Gucati për Gazetën Sinjali.
Deri më tani për të dëshmuar në Gjykatën Speciale që ndodhet në Hagë, numri i personave të ftuar ka arritur në rreth 100.
Kujtojmë se më 18 shtator në Hagë do të shkojë për intervistim ish-deputetja e AAK-së Time Kadrijaj. Ajo është ftuar në cilësinë e dëshmitares. Ndërsa, më 24 shtator në dhomat e specializuara do të intervistohet edhe kandidati i AAK-së për deputet, Lulzim Kabashi.
E sa i përket çështjes se kur pritet të ushtrohen aktakuzat e para të Speciales, Hysni Gucati, përmend muajin shtator dhe tetor.
“Informata të sakta nuk kemi, flitet që mund të jetë shtatori ose tetori”, përfundoi Gucati.
Deri më tani Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim shumë figura të larta si: Ramush Haradinaj, Jakup Krasniqi, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa etj./Gazeta Sinjali/