Drejtori i Arsimit në komunën e Pejës, Besim Avdimetaj, ka njoftuar se së shpejti mund të suspendohet nga puna mësimdhënësi që ngacmoi seksualisht nxënësen e tij, në shkollën fillore “Dardania”, raporton Gazeta Sinjali.
Avdimetaj në një bisedë me Gazetën Sinjali ka thënë se është i njoftuar për rastin, por që ende nuk ka pranuar ndonjë informatë me shkrim.
Ai i ka thënë Gazetës Sinjali se është i njoftuar për arrestimin e mësimdhënësit dhe se po pritet vendimi i organeve të drejtësisë, në mënyrë që të ndërmerren hapat e mëtutjeshëm.
“Rasti ka ndodhur të premten, drejtoresha e shkollës më ka njoftuar, por ende nuk kam ndonjë konfirmim me shkrim, megjithatë jam në njohuri për atë se çfarë ka ndodhë dhe organet e sigurisë e kanë arrestuar. Sot jemi duke pritur vendimin se çfarë do të ndodhë dhe sigurisht se duhet mu përgjigj para organeve përgjegjëse”.
“Por si të na vinë dokumentet ai duhet me u suspendu, e kryejnë punën e tyre gjykatat dhe prokuroria dhe djali jem me kanë se nuk ka kush që e shpëton”, ka deklaruar ai për Gazetën Sinjali.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me drejtoreshën e shkollës, Rita Xharadinaj, por e cila nuk ka pranuar të flas. Ajo ka refuzuar kategorikisht që të tregojë për masat që do t’i merr dhe për atë se çfarë ka ndodhur në shkollën që udhëhiqet nga ajo.
“Më fal nuk prononcohem për këtë rast, është drejtoria e Arsimit dhe nuk kam çka me u prononcuar, ditën e mirë”, ka thënë drejtoresha duke e mbyllur menjëherë telefonin.
Por ky rast është trajtuar seriozisht nga Gjykata Themelore e Pejës, e cila ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Pejës, për caktimin e paraburgimit prej 30 ditëve.
Sipas gjykatës, i pandehuri një ditë më parë i kishte thënë të miturës që të vije në kabinetin e shkollës me qëllim që t’i ndihmojë për t’i nxjerrë statistikat e suksesit, ashtu që e mitura ditën kritike, pasi që arrin në shkollë dhe shkon në kabinet, vjen mësimdhënësi dhe e ngacmon të miturën e cila arrin që të largohet nga shkolla dhe i lajmëron familjarët e saj./Gazeta Sinjali/