Hamza Bin Laden, djali i themeluesit të al-Qaeda Osma Bin Laden, është vrarë nga një sulm ajror, kanë raportuar mediat amerikane, duke cituar zyrtarë të intelegjencës.
Koha dhe vendi janë ende të paqarta, ndërsa Pentagoni nuk ka komentuar rastin.
Hamza Bin Laden, i cili mendohet të jetë 30 vjeç, kishte shpërndarë audio dhe videoincizime, ku bënte thirrje për sulme ndaj SHBA-ve dhe shteteve të tjera.
Në shkurt të këtij viti, qeveria amerikane ka ofruar 1 milion dollarë për informacione rreth vendndodhjes, që do të çonin në kapjen e tij.
Për vrasjen e Hamza Bin Laden kanë raportuar gjerësisht mediat amerikane: NBC News. New York Times, CNN, duke cituar burime anonime brenda inteligjencës.
Nuk ka pasur konfirmim nga al-Qaeda, transmeton Sinjali.
Presidenti Donald Trump ka refuzuar të komentojë rreth këtij rasti kur u pyet të mërkurën nga gazetarët. Njëjtë veproi edhe këshilltari për siguri kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton.
Bin Laden u kishte bërë thirrje xhihadistëve që të hakmerren për vrasjen e babait të tij nga forcat speciale amerikane në Pakistan në maj të vitit 2011./Sinjali/