Të gjitha lëndët e pazgjidhura në Divizionin e Apelit në Mitrovicën Veriore janë bartur në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.
Bartja e këtyre lëndëve te kolegjet e rregullta të Gjykatës së Apelit ka ndodhur shkaku i dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit administrativ të komunitetit serb në sistemin e drejtësisë.
“Në Gjykatën e Apelit – Divizioni në Mitrovicë, numri i lëndëve të pazgjidhura nga lëmia penale është 27 lëndë, ndërsa nga lëmia civile janë 160 lëndë. Të gjitha këto lëndë janë bartur në Gjykatën e Apelit në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Blendë Mjekut, bashkëpunëtore Profesionale në Zyrën e Kryetarit të Gjykatës së Apelit.
Në Gjykatën e Apelit – Divizioni në Mitrovicën e Veriut, kanë punuar katër gjyqtarë nga radhët e komunitetit serb, të cilët kanë dhënë dorëheqje, së bashku me të gjithë gjyqtarët dhe stafin administrativ nga radhët e komunitetit serb në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. BpB.