Albulena Haxhiu sot rikandidohet nga Lëvizja Vetëvendosje për Kryetare të Kuvendit, pa asnjë ndryshim në balancën numerike që vazhdon ta bëjë të pamundur përzgjedhjen e saj, raporton Gazeta Sinjali.
Seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës vazhdon sot në orën 10:00, por qëndrimet e partive mbeten të pandryshuara, duke bllokuar zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Vetëvendosje e mban kandidaturën e Haxhiut, ndonëse nuk i ka votat e nevojshme për ta kaluar atë. Partitë opozitare kërkojnë që VV të tërhiqet nga ky propozim dhe të ofrojë një emër më konsensual.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur gatishmëri për të mbështetur kandidatë të tjerë nga radhët e VV-së, duke përmendur emra si Shqipe Selimi apo Saranda Bogujevci si më të pranueshëm.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka lënë të kuptohet se mund të japë votën për ndonjë kandidat më të moderuar nga VV – siç pati aluduar Memli Krasniqi, duke përmendur Glauk Konjufcën si një opsion të mundshëm.
Në krahun tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës është kategorike: për ta, asnjë emër nga Vetëvendosje nuk është i pranueshëm dhe nuk do të japin votën për ta.
Ndërkohë, Nisma Socialdemokrate, me tri votat e saj kyçe, ka abstenuar ndaj Haxhiut. Ndërsa spekulimet për ambiciet e Fatmir Limajt për postin e kryetarit të Kuvendit janë shtuar, ai vetë ka ndryshuar tonin kohët e fundit duke deklaruar se “VV nuk i ka numrat” dhe se “duhet të lëshojë rrugë”.
Nga Vetëvendosje janë treguar të prerë ndaj kësaj ideje. “Ka marrë fund ajo punë”, ka qenë përgjigjja për ambiciet e Limajt, ndërsa deputeti Mefail Bajqinovci ka lënë të kuptohet se një marrëveshje me Nismën mund të përfshijë ndonjë aranzhim qeveritar, por jo postin e kryeparlamentarit.
Pavarësisht mungesës së votave, Vetëvendosje vijon të kërkojë nga opozita që “të reflektojë” dhe të votojë për Albulena Haxhiun.
Ndërkohë, Albin Kurti, kryetar i VV-së, ka shmangur publikisht deklarimet dhe pyetjet e gazetarëve lidhur me ndërtimin e një shumice parlamentare, duke lënë pa përgjigje një nga çështjet më kritike të momentit politik në vend.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!