image Dita e tetë që serbët e veriut kanë bllokuar rrugët me barrikada, situata mbetet e qetë

Siguri

Dita e tetë që serbët e veriut kanë bllokuar rrugët me barrikada, situata mbetet e qetë

news image

Serbët në Veri të Kosovës ka tetë ditë që kanë bllokuar të gjitha rrugët pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Barrikada janë vendosur në Rudar, Sërboc, Sllatinë dhe Leshak, në rrugën kryesore Prishtinë – Rashkë. Në Varragë është vendosur një barrikadë nga drejtimi që të çon nga Mitrovica Jugore në Ribariq.

Pavarësisht motit të keq, shiut dhe borës së herëpashershme, qytetarët kanë kaluar edhe natën e mëparshme në barrikadat.

Gjatë ditës së djeshme, KFOR-i ka konfirmuar se ka pranuar kërkesën e Qeverisë së Serbisë për kthimin e deri në një mijë pjesëtarëve të forcave serbe në Kosovë, në përputhje me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe tha se aktualisht është duke e shqyrtuar.

KFOR-i po ashtu ka deklaruar se po monitoron me kujdes situatën në veri të Kosovës.

“Që nga tetori, ne kemi rritur praninë tonë, duke përfshirë trupa dhe patrullime shtesë në Veri të Kosovës këtë javën. Presim që të gjithë aktorët të bashkëpunojnë ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga demonstrimet provokuese të forcës, në mënyrë që të garantohet sigurimi dhe siguria e të gjitha komuniteteve”, theksuan nga KFOR-i.

Nga EULEX-i tregojnë për Gazetën Sinjali se për shkak të mbylljes së qarkullimit në pikë-kalimet e përbashkëta në Jarinje dhe Bërnjak, EULEX-i e ka adaptuar praninë e tij dhe patrullat e tyre nuk janë të pranishme atje në baza të përhershme.

Sipas Zyrë për Shtyp dhe Informim Publik të EULEX-it, prej datës 15 dhjetor, patrullat vëzhguese të EULEX-it kanë mundur që të arrijnë tek të dy pikë-kalimet e përbashkëta, si dhe misioni i ka vazhduar patrullimet vëzhguese të tij në pjesën veriore të Kosovës, duke i përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën Veriore dhe në Zveçan.

“Duke e pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës si dhe ngritjen e më shumë barrikadave, Misioni e përshtatë rregullisht praninë e tij për ta pasqyruar situatën në terren”, thonë nga EULEX-i për Sinjalin.

Më tej nga EULEX-i theksojnë se nëse kushtet lejojnë shfrytëzim të sigurt të rrugëve alternative, patrullat tona përpiqen që të arrijnë deri te disa lokacione në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë stacionet policore. Për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe rrugore, kjo nuk është gjithmonë e mundur.

/GazetaSinjali/