Disa lote prodhimi të Ujit mineral Kllokoti kanë rezultuar me përmbajtje të lartë të Borit ‘’Boron’’ sipas njoftimit të RASFF.
Sipas një njoftimi për media thuhet se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), përmes Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), është njoftuar për largim nga tregu të produktit: ‘’Ujë Mineral’’ me origjinë nga Kosova.
“Në të cilin pas kryerjes se testeve laboratorike ka rezultuar: me nivel të lartë të Borit ‘’Boron’’, duke tejkaluar kufijtë e lejuar. Rasti i njoftimit mban nr. 2026.5529. Të dhënat e produktit: Emri i produktit: Ujë Mineral, Brendi: UJË KLLOKOTI, Kompania eksportuese: Rugove SH. P. K. Paketim: 1.5 L, datë skadimi: 05.01.2027 dhe 07.04.2027. Paketimi:0.5 L, datë skadimi: 16.02.2027 / 19.02.2027 / 04.04.2027 dhe 07.04.2027. Arsyeja e njoftimit: Përmbajtje e lartë e Borit (Boron) në ujë mineral. Niveli i rrezikut: SERIOZ. Vendi eksportues: Kosovë”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se pas njoftimit përmes sistemit RASFF, AUV do të ndërmarre veprimet ligjore, me qëllim të parandalimit të rreziqeve të mundshme për shëndetin e konsumatorit.
“Inspektimi nisë tek prodhuesi, me qëllim identifikimin e burimit të kontaminimit. Vazhdon me gjurmimin për verifikim të të gjitha lotëve të prodhimeve ekzistuese dhe të ndërlidhura me rastet e lajmëruara. Operatori ekonomik distribues të nisë menjëherë tërheqjen nga tregu të produktit sipas datave të skadences. Po ashtu konsumatorët qe e posedojnë produktin me të dhënat e lartcekura sipas datave të skadimit, ta kthejnë menjëherë produktin ne piken e blerjes.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes AUV-së do të ndërmarrë të gjitha veprimet në afat sa me të shkurtër kohore, për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e AUV-it.
Bori është një element kimik natyror (simboli B) që gjendet në tokë, shkëmbinj dhe ujëra nëntokësore. Në sasi të vogla, ai është i pranishëm në shumë ushqime dhe nuk paraqet domosdoshmërisht rrezik për shëndetin.
Megjithatë, kur përqendrimi i borit në ujin e pijshëm është mbi kufijtë e lejuar, konsumimi i vazhdueshëm mund të jetë i dëmshëm. Ekspozimi i lartë ndaj borit mund të lidhet me:
- Të përziera dhe probleme me tretjen.
- Të vjella ose diarre në raste të ekspozimit të lartë.
- Efekte në veshka ose organe të tjera nëse konsumohet për një periudhë të gjatë në nivele të larta.
- Në disa studime, nivelet shumë të larta janë lidhur edhe me ndikime në fertilitet dhe zhvillim.
Për këtë arsye, autoritetet shëndetësore vendosin kufij maksimalë të lejuar për sasinë e borit në ujin e pijshëm dhe monitorojnë produktet që dalin në treg.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!