Publikimi i shifrave të shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë po kundërshtohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Por ky veprim i Ministrisë së Drejtësisë nga shoqëria civile po konsiderohet si veprim i duhur, pasi vlerësojnë se çdo cent i buxhetit të Kosovës duhet të jetë transparent për publikun.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku udhëzimin administrativ që mundëson bërjen publike të mjeteve të ndara për secilin avokat që mbron të akuzuarit në Gjykatën Speciale po e konsideron si veprim jo të mirë dhe i cili mund ta dëmtojë mbrojtjen.
Klinaku thotë se publikimi i shpenzimeve për secilin avokat mbrojtës mund të bëheshin kur të përfundonte i gjithë procesi gjyqësor.
“Nuk kanë bërë mirë. Ne i kemi përvojat e ndryshme, shembull e kemi rastin e Kroacisë që publikimin e shpenzimeve e ka bërë pas përfundimit të proceseve. Ne mendojmë se kjo nuk i shkon në të mirë të mbrojtjes, mund ta dëmtojë mbrojtjen sepse kur dihet se kush apo sa avokatët marrin, natyrisht që mobilizohet më shumë Prokuroria sepse Prokuroria ka qëllim të gjej fajtor edhe kur nuk janë asgjë ilegale, nuk është asgjë e jashtëligjshme, nuk është çdo gjë që është bërë dhe çdo pagesë që është bërë, është bërë në bazë të ligjit që e kanë votuar vetë institucionet dhe më duket e paarsyeshme sepse kanë mundur t’i publikojnë pas përfundimit të proceseve”, u shpreh Klinaku.
Avokati i akredituar nga Dhomat e Specializuara në Hagë, Artan Çerkini deklaron se bërja publike e shpenzimeve lidhur me mbrojtjen e të akuzuarve në Dhomat e Specializuara duhet të merret rast pas rasti.
Çerkini për KosovaPress deklaron se një pjesë e shpenzimeve mund të publikohet por jo edhe pjesa e cila duhet të jetë konfidenciale për shkak të procedurës.
“Çdo gjë që paguhet nga buxheti i Kosovës duhet të jetë transparente, por mos të harrojmë që procedurat gjyqësore sidomos këto të Gjykatës Speciale i kanë specifikat e veta. Pra, parimisht duhet bërë publike por publiciteti i shpenzimeve dhe vendimi për të bërë publike shpenzimin e caktuar lidhur me mbrojtjen e të akuzuarve në Dhomat e Specializuara duhet të merret rast pas rasti sepse mund të ndodh që në disa raste vetë shpenzimi që është bërë ta tregoj veprimin që është ndërmarrë dhe nganjëherë mbrojtja dëshiron që ato shpenzime t’i mbaj sekrete deri në një fazë të caktuar të procedurës. Nëse kemi të bëjmë me raste të tilla mendoj se publikimi i shpenzimeve do të dëmtoj mbrojtjen duhet të shikohet rast pas rasti. Një pjesë e shpenzimeve mund të publikohet por një pjesë për shkak të konfidencialitetit të procedurës nuk duhet të publikohet”, tha ai.
Mbi një milion e 500 mijë euro janë dhënë deri më tani nga shteti i Kosovës për të paguar avokatët e të akuzuarve nga Gjykata Speciale. Këto shifra u bënë të ditura javën që shkoi nga Ministria e Drejtësisë, pasi ishte marrë vendimi për deklasifikim të këtyre dokumenteve.
Kësaj liste për nga shpenzimet i prin avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Rees. Pagesa e ekzekutuar për të është 315 mijë euro. Pas tij, sipas shpenzimeve të deritashme radhitet mbrojtja e Rexhep Selimit, ish-komandantit të UÇK-së që po gjykohet në lëndën “Thaçi dhe të tjerët”. Avokati i Selimit, David Young, është paguar nga shteti me 287 mijë euro. Ndërsa, një shumë e konsiderueshme e parave është dhënë edhe për mbrojtën e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Sali Mustafa.
Për mbrojtjen e tij, holandezi Von Bone sipas kësaj tabele nga buxheti shtetëror janë ekzekutuar mbi 271 mijë euro. Ndërkohë, një shifër e madhe është e ndarë edhe për njërin nga avokatët që po e mbron ish-presidentin Thaçi në Gjykatën Speciale. Njëri nga tre avokatët e ekipit mbrojtës të ish-shefit të shtetit, Pierre R. Prosper, deri më tani është paguar mbi 251 mijë euro. E shuma që për gjysmë viti është ndarë për avokatin e Jakup Krasniqit është për mbi 242 mijë euro. Kurse më së paku nga këta sipas këtyre të dhënave është paguar njëri nga tre mbrojtësit e ish-kryeparlamentarit e ish-shefit të SHIK-ut, Ben Emmerson. Britaniku Ben Emmerson që po e mbron Kadri Veselin është paguar më shumë se 31 mijë euro. Deri më tani janë aprovuar 1.114.257.35 euro, derisa mbrojtja e përmendur më lart ka tërhequr nga llogaria 464.600 mijë euro.
Në nëntor të vitit të kaluar, katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi u arrestuan me urdhërarrest të Speciales.
Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e kësaj gjykate. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Përveç ish krerëve të UÇK-së në paraburgim në Hagë po qëndrojnë edhe ish krerët e OVL-UÇK-së, Hysni Gucat dhe Nasim Haradinaj, si dhe ish komandanti i UÇK-së, Sali Mustafa.
Publikimi i shpenzimeve për avokatët që mbrojnë të akuzuarit në Hagë ishte ndaluar me një udhëzim administrativ nga ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. /Gazeta Sinjali/