image Dikush hedh drogë në oborrin e Qendrës për të mitur në Lipjan dhe ikë - Policia del në vendngjarje

Sinjalizime

Dikush hedh drogë në oborrin e Qendrës për të mitur në Lipjan dhe ikë – Policia del në vendngjarje

news image

Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike. Por kjo dukuri nuk i mban imun as personat që janë prapa grilave. Sikleti për të konsumuar drogë shpesh i detyron ata që të kërkojnë nga të afërmit e miqtë e tyre të veprojnë kundërligjshëm, për t’iu dërguar sasi të ndryshme të narkotikëve, raporton Gazeta Sinjali.

Raste të tilla janë evidentuar edhe në Qendrën Korrektuese Edukuese në Lipjan, ku qëndrojnë të miturit që bien ndesh me ligjin. Por këtë herë dikush ka tentuar që nga jashtë ta fus një sasi të narkotikëve, të cilën e ka hedhur në oborrin e qendrës.  

Një veprim i tillë është vërejtur nga zyrtarët korrektues të kësaj qendre, që kanë arritur të reagojnë, me ç’rast e kanë njoftuar Policinë, e cila ka dalë në vendin e ngjarjes. Qesja me drogë që u gjet është konfiskuar nga Policia, ndërsa akoma s’ka persona të cilët janë identifikuar si të dyshuar.

Në lidhje me rastin, burimet thonë se është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.  

Kujtojmë se rastet më të shpeshta, që janë zbuluar në burgjet e Kosovës kanë ndodhur në Burgun e Dubravës, për të cilat Sinjali ka raportuar në vazhdimësi.

/GazetaSinjali/