Rastet e incidenteve të zjarrit, sidomos djegieve të veturave s’janë edhe të rralla dhe kryesisht lidhen me ‘qërimin e hesapeve’. Një rast i zjarrvënies u raportua mëngjesin e sotëm në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj, ku u dogj një veturë, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali, rastin e ka denoncuar vet pronari, i cili kërkoi ndihmën e Policisë dhe raportoi se vetura e tij po digjej.
Si rezultat i raportimit, Zjarrfikësit dhe Policia kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme bashkë me ekspertin e zjarrit.
Bazuar në informacionet e para, vlera e dëmit është rreth 20 mijë euro.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se Policia ka arritur të sigurojë pamje nga kamerat e sigurisë në objektet përreth, ku shihet se dy persona ia kanë vënë flakën veturës dhe janë larguar.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetimi për të zbardhur motivin dhe rrethanat e incidentit.