Problemet me energjinë elektrike, dyshohet se ka qenë shkaktari kryesor që një ordinancë dhe një laboratorit i janë djegur pajisjet në Gjakovë gjatë ditës së martë, ndërsa sot janë raportuar edhe në Policinë e Kosovës. Me rastin është duke u marrë edhe Prokuroria Themelore e Gjakovës, raporton Gazeta Sinjali.
Rast i parë ka të bëjë me një ordinancë private ku për shkak të problemeve me energjinë elektrike i janë djegur pajisjet e punës, ndërsa rasti i dytë ka të bëjë në një laborator privat, ku për shkak të problemeve të energjisë elektrike i është djegur aparati kryesor i këtij laboratori privat.
Rastet i ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, zyrtarja për informim në Policinë e Kosovës nga rajoni i Gjakovës, Lirije Podrimaj.
Sipas deklarimit të saj në rastin e parë në ordinancën private nga problemet e energjisë elektrike janë shkaktuar dëme të konsiderueshme, ndërsa me rastin janë duke u marrë me Prokuroria Themelore e Gjakovës si dhe KEDS-i i cili ka dalur në vendin e ngjarjes.
“Me datë 05.12.2019 në ora 13:30 ankuesi mashkull/kosovar/ shqiptar ka raportuar se me datën 03.12.2019 kishte probleme me energjinë elektrike në ordinancën e tij private dhe si pasojë e këtyre problemeve i janë djegur pajisjet e punës. Vlera e dëmit sipas ankuesit është e konsiderueshme”.
“Policia ka iniciuar rastin dhe në konsultim me prokurorin është klasifikuar “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” . Në vendngjarje kanë dal të gjitha njësitet relevante të policisë dhe njësia e KEDS-it”, ka thënë Podrimaj për rastin e parë.
Edhe rasti tjetër ka ndodhur vetëm disa minuta më pas në Gjakovë, ku një laborator privat i është djegur pajisja kryesore, ndërsa dyshohet se djegia ka ardhur për shkak të problemeve me energjinë elektrike.
“Me datë 05.12.2019 në ora 13:45 ankuesi mashkull/kosovar/ shqiptar ka raportuar se me datën 03.12.2019 kishte probleme me energjinë elektrike në laboratorin e tij privat dhe si pasojë e këtyre problemeve i është djegur aparati kryesor i laboratorit. Vlera e dëmit sipas ankuesit është e konsiderueshme”.
“Policia ka iniciuar rastin dhe në konsultim me prokurorin është klasifikuar ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’. Ne vendngjarje kanë dal të gjitha njësitet relevante të policisë po ashtu dal njësia e hetimeve dhe njësia e KEDS”, ka deklaruar Podrimaj./Gazeta Sinjali/.