image Diaspora për shtatë muaj dërguan mbi 750 milionë euro në Kosovë

Kosovë

Diaspora për shtatë muaj dërguan mbi 750 milionë euro në Kosovë

news image

Pavarësisht krizës ekonomike botërore të shkaktuar nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë që nga shkurti i 2022-së, mërgata vazhdon të kontribuojë në dërgimin e parave për familjet e tyre në Kosovë.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovë (BQK) mbi dërgesat nga jashtë, tregojnë se nga muaji janar deri në korrik 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, diaspora jonë ka dërguar 81.5 milionë euro më shumë.

Për këtë periudhë, vlera më e lartë ishte gjatë muajit maj me 126.6 milionë euro nga totali prej mbi 751.8 milionë euro.

Duke iu referuar kanaleve të dërgimit, BQK-ja thotë se, 429.6 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale dhe kanaleve alternative.

Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës. Nga ky vend kanë ardhur 37.4 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 18 për qind, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7.4 për qind, Austria me 4.9 për qind dhe Italia me 4.5 për qind.

“Ngadalësimin e rritjes së konsumit e ka ndikuar kryesisht rënia e fuqisë blerëse të konsumatorëve, për shkak të rritjes së çmimeve, ndërkohë që burimet kryesore të financimit si remitencat, kreditë e reja konsumuese, konsumi publik, etj., shënuan rritje”, thuhet në raportin e BQK-së për vlerësimin tremujor të ekonomisë.

Vlera e remitencave të pranuara në tremujorin e parë të 2023-së kanë shënuar rritje prej 12.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Struktura e remitencave sipas shteteve mbetet e pa ndryshuar: Gjermania që ka një pjesëmarrje prej 38.8 për qind të remitencave të dërguara, ndjekur nga Zvicra me 17.2 për qind dhe SHBA-ja me 7.6 për qind”, vijon raporti “Vlerësimi tremujor i ekonomisë, tremujori i parë 2023“.

Sipas BQK-së, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Eurozonë mund të ketë pasur ndikim mbi këto dërgesa, si një e hyrë për ekonominë e vendit tonë.

“Duke konsideruar që pjesa me e madhe e remitancave të pranuara kanë origjinë vendet e Eurozonës apo 57.2 për qind e totalit, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Eurozonë mund të ketë implikime mbi këtë të hyrë për ekonominë e Kosovës”, përfundon BQK-ja.

Ndërsa, Banka Botërore thotë se pjesëmarrja e remitencave në Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Kosovës është rreth 20 për qind, ku nga shpallja e pavarësisë janë dërguar rreth 13 miliardë euro.

Shuma e remitencave të dërguara sipas viteve në Kosovë: 2008 – 858 milionë euro, 2009 – 865 milionë euro, 2010 – 825 milionë, 2011 – 814 milionë euro, 2012 – 775 milionë euro, 2013 – 867 milionë euro, 2014 – 901 milionë euro, 2015 – 796 milionë euro, 2016 – 808 milionë euro, 2017 – 911 milionë euro, 2018 – 1.13 miliard euro, 2019 – 1.23 miliard euro, 2020 – 980 miliard euro, 2021 – 1.14 miliard euro dhe 2022 – 1.2 miliard euro.

Për sa i përket vizitës së diasporës në vend, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, duke e shfrytëzuar Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” kanë ardhur dhe shkuar mbi 1.5 milion mërgimtarë.

Gjatë kësaj periudhe janë realizuar mbi 10,400 fluturime, ku numri më i madh është nga Zvicra, ndjekur nga Gjermania, Turqia dhe Austria, shkruan Telegrafi.

Numër më i madh i ardhjes dhe shkuarjes së mërgimtarëve është realizuar gjatë muajve prill dhe maj, ku kanë ardhur në total 586,157 udhëtarë me 4,040 fluturime.

Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë.

/GazetaSinjali/