image Dialogu në nivel kryenegociatorësh: Vazhdojnë takimet në Bruksel

Politikë

Dialogu në nivel kryenegociatorësh: Vazhdojnë takimet në Bruksel

news image

Kanë filluar takimet dypalëshe në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, u takua fillimisht me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, dhe më pas nisi një takim tjetër dypalësh me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Varësisht nga rrjedha e takimeve dypalëshe dhe nga gatishmëria e palëve, Lajçak mund t’i takojë Bislimin dhe Petkoviqin në një takim trepalësh.

Më herët zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi se në krye të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshja u arrit vitin e kaluar, por nuk u zbatua.

Ajo, mes tjerash, i kërkon Kosovës t’i ofrojë një nivel vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Për zbatimin e saj, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, Kurti nxori disa kërkesa për vazhdimin e dialogut – përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes dhe dorëzimin e Millan Radoiçiqit – që Vuçiq nuk i pranoi.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.

/GazetaSinjali/