image Dhunë në kopshtin “Nina” në Mitrovicë? Nëna denoncon se ia rrahën fëmijën me nevoja të veçanta, drejtoresha hesht

Siguri

Dhunë në kopshtin “Nina” në Mitrovicë? Nëna denoncon se ia rrahën fëmijën me nevoja të veçanta, drejtoresha hesht

news image

Numri i institucioneve parashkollore, kopshteve dhe çerdheve private në Kosovë është mjaft i madh. Prindërit paguajnë shuma të mëdha parash, por jo gjithmonë kushtet janë në nivelin e duhur. Jo rrallëherë ka pasur ankesa e denoncime për keqtrajtim të fëmijëve nga edukatoret në këto institucione, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në “Kopsht dhe Çerdhe Nina” në Mitrovicë, Prokuroria Themelore atje tashmë ka nisur hetimet.

Rasti u zbulua pas denoncimit të nënës së një fëmije 5-vjeçar, e cila po pretendon se një kujdestare që punon në këtë kopsht privat ka ushtruar dhunë fizike ndaj vogëlushit, i cili është me nevoja të veçanta.

Si rezultat i denoncimit të rastit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të merren masat e nevojshme hetimore, me ç’rast është intervistuar e dyshuara dhe e njëjta më pas është lënë e lirë. Ndaj saj është iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe pas përfundimit të hetimit do të vendoset për aktakuzën eventuale dhe cilësimin e saktë ligjor të veprimeve të të dyshuarës.

Për gjithë këtë rast për të cilin kanë nisur hetimet, drejtoresha e kopshtit, Agnesa Shipoli – Nika, ka vendosur të hesht. Gazeta Sinjali e ka kontaktuar për ta konfirmuar rastin dhe për të marrë versionin e saj si udhëheqëse e kopshtit, por e njëjta ka refuzuar të jap detaje.

Përkundër që rasti është mjaft i ndjeshëm, Shipoli – Nika tha se nuk ka kohë e as nevojë të sqarohet për atë që është denoncuar.

 “As me zbulu viktimën, as kurrgjë hiç, çkado që keni informacione, qysh ose ashtu, qyshdo që i keni. Përderisa nuk ka ankesë…Jo, nuk dua, absolut. Kqyrne në Polici a kena hesht. Ditën e mirë, nuk kom nevojë me të jep ma shumë informacion. Nuk kom kohë ma shumë. Shkoni në Polici merruni me rastin. A ka mundësi mos me më pengu ma gjatë? S’po du me të jep informacion, hiç.”, tha ajo.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Mitrovicë, që kanë njoftuar se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të hetohet në procedurë të rregullt.

“Ankuesja femër kosovare ka njoftuar se fëmija i saj ishte keqtrajtuar nga e dyshuar femër kosovare. Pas intervistimit me vendim  të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.”

Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja të rastit.

/GazetaSinjali/