image Dhunë në familje në Klinë – Dy bashkëshortë përfundojnë në polici pas një konflikti fizik, lëndohen edhe fëmijët

Ekskluzive

Dhunë në familje në Klinë – Dy bashkëshortë përfundojnë në polici pas një konflikti fizik, lëndohen edhe fëmijët

news image

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është raportuar në fshatin Gjurgjevik i Madh të Klinës, ku dy bashkëshortë kanë përfunduar në stacionin policor pasi dyshohet se janë përfshirë në konflikt fizik mes tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Ngjarja është zbuluar më 08 korrik 2025, pasi QKMF në Klinë ka informuar Policinë për një person me lëndime fizike në dorë, e që më vonë rezultoi të ishte E.B., rreth 32-vjeçar. Gjatë vizitës në shtëpinë e saj, hetuesit kanë vërejtur shenja të dukshme dhune, por fillimisht ajo refuzoi të procedohet si viktimë.

Megjithatë, pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, edhe E.B. edhe bashkëshorti i saj B.B., rreth 40-vjeçar u shoqëruan në stacion së bashku me tre fëmijët e mitur, ku u intervistuan në cilësinë e të dyshuarve, për shkak të dyshimeve se të dy kishin ushtruar dhunë ndaj njëri-tjetrit.

Sipas burimeve të Sinjalit, pas një mosmarrëveshjeje verbale situata ka degraduar në konflikt fizik, ku janë shkaktuar lëndime të ndërsjella, përfshirë edhe pasoja të dyshuara te fëmijët, të cilët janë ekzaminuar mjekësisht.

Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, është iniciuar rasti penal “Dhunë në Familje”, ndërsa të dy palët janë liruar pas intervistimit, me detyrimin që të paraqiten për kontrolle të mëtejshme mjekësore më 09 korrik.

Hetimet për rastin vazhdojnë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/