image Dhunë brutale në Pejë: Burri e kap për fyti gruan dhe i kërkon katër mijë euro, përfundon në pranga

Siguri

Dhunë brutale në Pejë: Burri e kap për fyti gruan dhe i kërkon katër mijë euro, përfundon në pranga

news image

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre, por edhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur ditën e enjte në rrugën “Agim Binak Qelaj” në Pejë, ku një grua ka raportuar në Polici se burri i saj ka ushtruar dhunë ndaj saj, duke e kërcënuar dhe sulmuar fizikisht.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima ka deklaruar se i dyshuari fillimisht i ka marrë telefonin me forcë, duke bërtitur dhe duke i kërkuar 4,000 euro.

Më pas, ai ka nisur të përmbysë ushqimin nga tavolina dhe ka kaluar në dhunë fizike, duke e kapur për fyti dhe duke e shtyrë me forcë drejt derës, ku ajo është goditur në kokë.

Pavarësisht dhunës së ushtruar, viktima nuk ka pranuar trajtim mjekësor dhe pas intervistimit në prani të një zyrtari nga Qendra për Punë Sociale, ka zgjedhur të kthehet në shtëpi.

Telefoni që i ishte marrë me forcë, i është kthyer asaj nga policia.

I dyshuari është arrestuar nga Policia dhe pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.

Hetimet në lidhje me rastin tashmë kanë filluar dhe priten veprime të mëtejshme ligjore.

/GazetaSinjali/