image Dhuna ndaj grave s'ka të ndalur, raportohen disa raste gjatë ditëve të aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore

Siguri

Dhuna ndaj grave s’ka të ndalur, raportohen disa raste gjatë ditëve të aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore

news image

Më 25 nëntor ka nisur fushata 16 ditore të aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, e cila synon realizmin e aktiviteteve të ndryshme me qëllim parandalimin e dhunës dhe trajtimin e rasteve me seriozitet. Me sloganin ‘Sot dhe çdo ditë tjetër!’, institucionet janë zotuar për përkushtim maksimal për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Pavarësisht kësaj, gjatë këtyre ditëve janë raportuar me dhjetëra raste të dhunës në familje. Rasti më i rëndë u shënua mbrëmjen e të mërkurës, kur Liridona Ademaj, u qëllua për vdekje nga një person, i cili dyshohet se u angazhua nga bashkëshorti i saj për ta vrarë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar detajet për disa prej rasteve që janë denoncuar në Polici në të gjitha rajonet e vendit, ku viktima të dhunës në familje janë kryesisht gratë. Këto të fundit shpeshherë pajisen edhe me urdhërmbrojtës nga Gjykata, por kjo jo gjithmonë respektohet nga të dyshuarit.

Gjatë ditës së djeshme një grua në fshatin Tërdevc të Drenasit ka denoncuar në Polici ish-bashkëshortin e saj. Bazuar në dëshminë e saj, 27-vjeçari pas ndarjes e ka shqetësuar me mesazhe dhe thirrje telefonike me numër privat, duke shkelur kështu urdhrin e mbrojtjes. I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku më pas me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mospërfillje e urdhrit të Gjykatës’.

Njëjtë dyshohet të ketë vepruar edhe një person në Gjakovë, i cili me urdhër të Gjykatës e kishte ta ndaluar t’i afrohet nënës së tij të moshuar. 74-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i biri ka shkuar në afërsi të banesës së saj dhe i ka marrë një shumë parash. I dyshuari fillimisht është arratisur nga vendi i ngjarjes, por më pas është arritur që të arrestohet nga Policia dhe me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

Në Polici mbrëmë kanë përfunduar edhe një çift në Gjakovë. Burri dyshohet se për motive xhelozie e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij dhe të njëjtës i ka shkaktuar lëndime trupore. 45-vjeçarja ka marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që i dyshuari është arratisur dhe nuk dihet vendndodhja e tij.

Për spital e bëri bashkëshorten edhe një person në Pejë, i cili po ashtu u arratis dhe është shpallur në kërkim policor. Viktima ka dhënë dëshminë e saj para hetuesve policorë dhe si pasojë e dhunës ka marrë lëndime trupore dhe është dërguar në spital për tretman mjekësor.

Dhunë në familje përjetoi edhe një grua në fshatin Kervasari në Malishevë. Bashkëshorti i saj dyshohet se pas një konflikti mes tyre e ka rrahur brutalisht. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku gjatë intervistimit ka mohuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet. Me urdhër të prokurorit, 41-vjeçari është dërguar në mbajtje.

Kujtojmë që dhuna në familje në shumë raste ka përfunduar edhe me fatalitet.

Lista me emrat e grave të vrara nga bashkëshortët e tyre, zgjatet nga viti në vit.

E, për këtë shumë shpesh janë fajësuar edhe institucionet e drejtësisë, për shkak se sipas raportimeve ndër vite, të gjitha viktimat, më parë kanë denoncuar dhunën ndaj tyre, mirëpo thirrja e tyre për ndihmë kishte hasur në vesh të shurdhër.

Rastet makabre të vrasjeve ndaj grave në të shumtën e rasteve janë përcjellë me protesta të shumta nga qytetarët e revoltuar.

/GazetaSinjali/