Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu po dyshohet se ka ndodhur të enjten në një familje në Pejë, ku një burrë dyshohet se pas një mosmarrëveshje ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas së tij.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima është një 22-vjeçare, e cila ka përfunduar në spital, si pasojë e lëndimeve që ka pësuar nga sulmi fizik i burrit të saj.
Posa rasti është denoncuar, njësitë policore kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku është arrestuar personi i dyshuar dhe është shoqëruar në stacion policor.
Viktima e cila fillimisht ka marrë trajtim mjekësor, ka dhënë më pas dëshminë e saj për dhunën që ka përjetuar dhe kërcënimet e bashkëshortit.
Ndaj të riut që po dyshohet për dhunë në familje, Prokurori nuk ka urdhëruar masën e ndalimit policor, por vetëm inicimin e rastit dhe lirimin e tij për t’u hetuar në procedurë të rregullt.
Rastet e tilla kur burrat e dyshuar për dhunë ndaj vajzave dhe grave lirohen nuk janë të rralla dhe shpesh ka ngritur debat në opinion se organet e rendit nuk po bëjnë mjaftueshëm për këtë dukuri shqetësuese, që është kthyer në tragjedi për shumë familje.