Numri i rasteve të dhunës në vendin tonë është në rritje çdo ditë e më shumë. Çdo ditë gra që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur të premten në Malishevë, ku një grua është sulmuar fizikisht e psiqikisht nga burri i saj.
Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se i dyshuari ka ushtruar dhunë të ashpër ndaj bashkëshortes së tij pas një konflikti verbal.
Ai siç mëson Gazeta Sinjali e ka kapur për duar dhe për fyti, e më pas e ka rrëzuar në dysheme, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Por, sipas deklarimeve të viktimës në Polici, të cilat i ka marrë vesh Gazeta Sinjali, dhuna ka qenë e vazhdueshme ndër vite, dhe se ajo kishte heshtur vazhdimisht për hir të fëmijëve dhe shpresës për ndryshim.
Viktima ka ikur nga shtëpia ku jetonte me bashkëshortin dhe së bashku me dy fëmijët e saj të mitur ka shkuar tek familja e saj.
I dyshuari, i cili siç mëson Gazeta Sinjali vuan nga një sëmundje mendore, është arrestuar nga Policia.
Me urdhër të Prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti “Dhunë në familje” dhe është ndaluar për 48 orë.