image Dhoma e Tregtisë dorëzon padi kundër ZRRE-së për liberalizimin e tregut

Kosovë

Dhoma e Tregtisë dorëzon padi kundër ZRRE-së për liberalizimin e tregut

news image

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm ligjor duke dorëzuar zyrtarisht një padi kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Padia lidhet me vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, për të cilin DHTIK pretendon se është marrë me “shkelje të rënda ligjore dhe procedurale”.

“Ne besojmë fuqishëm se ky vendim i ZRRE-së është i nxituar, arbitrar dhe i papërgatitur mirë, me pasoja të drejtpërdrejta për qëndrueshmërinë financiare të bizneseve që do të preken nga ky vendim”, thuhet në reagimin e Dhomës.

Sipas saj, vendimi është marrë pa konsultime paraprake me palët relevante dhe pa një analizë të thelluar të tregut, duke rrezikuar jo vetëm stabilitetin financiar të ndërmarrjeve, por edhe vendet e punës në vend.

Për më tepër, Dhoma e Tregtisë ngre shqetësimin se, ndonëse është deklaruar se tregu është liberalizuar, aktualisht është vetëm një kompani – KESCO – që po ofron furnizim për bizneset.

“Kjo bie ndesh me vetë thelbin e liberalizimit dhe e shndërron këtë proces në një monopol të fshehur, duke rritur rrezikun për abuzim me çmime dhe cilësi të shërbimit”, thuhet tutje në njoftim.

DHTIK i bën thirrje institucioneve të drejtësisë të reagojnë menjëherë, duke kërkuar pezullimin e vendimit dhe rikthimin e ZRRE-së në një proces të rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës.

Në fund, Dhoma riafirmon angazhimin e saj për mbrojtjen e interesit të bizneseve dhe paralajmëron se do të vazhdojë me veprime ligjore, politike e publike për të garantuar një treg të drejtë e të hapur të energjisë në vend.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/