Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill deri më 29 qershor të këtij viti, janë raportuar gjithsej 47 raste të konfirmuara me fruth.
Sipas komunave, numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës me 14 raste, komuna e Ferizajt me 12 raste, Kaçaniku me gjashtë raste, Fushë-Kosova me tre raste, Lipjan, Vushtrri, Shtime dhe Obiliq me nga dy raste, si dhe me nga një rast komunat si Gjilani, Drenasi, Deçani dhe Vitia.
IKShPK, përmes njoftimit zyrtar ka rekomanduar që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.
“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare”, thuhet në njoftim.
Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/