Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Prishtinë Adhurim Lepajën, të dyshuar për tentim vrasjen e Met Elshanit, menaxherit të këngëtarit Fero. Në këtë aksion është arrestuar edhe Dardan Krasniqi i cili ishte në kërkim nga policia, si i dyshuar për disa vepra të tjera penale.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 tek semaforët në rrugën “Fehmi Agani”.
Sinjali ka kontaktuar me dëshmitarët nga vendi i ngjarjes, të cilët në kushte anonimiteti kanë deklaruar se fillimisht në këtë aksion kanë marr pjesë të paktën pesë policë të njësisë speciale të rajonit të Prishtinës por më vonë atyre u kanë ardhur në ndihmë edhe zyrtarë të tjerë policorë.
Sinjali mëson nga dëshmitarët, se të dyshuarit ishin duke qarkulluar me veturën e tyre të tipit Golf 7 me ngjyrë hiri. Ata sapo kanë parë policinë që po i përcillte me veturë, i dyshuari për tentim vrasje Adhurim Lepaja, ka kërcyer nga vetura e cila ishte në lëvizje dhe ka tentuar të ikë në këmbë, sqarojnë dëshmitarët për Sinjalin.
Policia i ishte vënë në ndjekje deri në Rrugën e Zagrebit ku kishte arritur ta prangoste si dhe t`ia sekuestroj një pistoletë ngjyrë hiri.
Sinjali mëson se në shoqërim të Adhurim Lepajës ishte edhe Dardan Krasniqi i cili po ashtu është arrestuar pasi që ishte në kërkim të policisë për disa vepra penale. /Sinjali/