image Detaje tronditëse nga vrasja në Skenderaj:  Dy persona të maskuar hynë në lokal dhe qëlluan me armë drejt viktimave

Siguri

Detaje tronditëse nga vrasja në Skenderaj:  Dy persona të maskuar hynë në lokal dhe qëlluan me armë drejt viktimave

news image

Fshati Runik dhe i gjithë Skenderaj u trondit mbrëmë pas mesnate pas një ngjarjeje tronditëse që ndodhi në një kafene të fshatit, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbeti i vrarë një 39-vjeçar, ndërsa u plagosën tre të tjerë, raporton Gazeta Sinjali.

Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka bërë me dije se dy persona të maskuar kanë hyrë brenda kafenesë dhe kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimave. Të njëjtit më pas janë larguar në drejtim të panjohur dhe ende nuk janë identifikuar.

“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja. Gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore . Hetuesit e Sektorit Rajonal , janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”, tha Zahiti.

Sipas Zahitit, viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa tre të plagosurit janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndryshe kjo është vrasja e tretë brenda një jave në vendin tonë.

Të premten e 4 gushtit, në kafenenë ‘Bon Vivant’ në Prishtinë, ka mbetur i vrarë, Kastriot Ramadani, ndërsa janë plagosur dhe janë lënduar 20 persona tjerë.

Po ashtu të hënën në lokalin ‘Coyote Lounge Bar’ në Klinë, i dyshuari Tush Frroku, për motive ende të panjohura ka shtënë me armë zjarri në drejtim të 47-vjeçarit, Anton Prela, i cili si pasojë e plagëve ka humbur jetën.

/GazetaSinjali/