Haris Kelmendi pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në stacionin policor ‘Qendra’ në Prishtinë, është zyrtari policor që u prangos dje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, konfirmojnë burime të besueshme të Gazetës Sinjali brenda PK-së.
Në kohën kur është përfshirë në incidentin në afërsi të stadiumit ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, zyrtari policor Kelmendi, ishte jashtë detyrës zyrtare, theksojnë më tej burimet e Gazetës Sinjali.
Këto informacione i ka konfirmuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se zyrtari policor ishte jashtë detyrës zyrtare mirëpo dyshohet se veprën penale e ka kryer duke përdorur autorizimet zyrtare/publike”, thuhet në përigjen e IPK-së dhënë Gazetës Sinjali.
IPK njoftoi dje për arrestimin e tij dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, si dhe është suspenduar nga detyra.
“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, bën të ditur IPK. /Gazeta Sinjali/