image Detaje të reja për grabitjen që përfundoi me vrasje në Mitrovicë

Siguri

Detaje të reja për grabitjen që përfundoi me vrasje në Mitrovicë

news image

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me grabitjen që përfundoi me vrasje, mbrëmë në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë. I vdekur mbeti Ali Maloku, i cili nuk mundi t’u bëjë ballë plagëve që mori nga dy plumba.

Në njoftimin e Policisë thuhet se përveç që janë arrestuar dy persona, zyrtarët policorë në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar armën e përdorur në rast dhe dy gëzhoja.

Me vendim të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Rr. Mbretëresha Teutë, Mitrovicë Jugu, 28.12.2021-22:23. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që gjatë një grabitje në një lokal, njëri prej tyre ka shtënë me armë në drejtim të pronarit të lokalit-viktimës mashkull kosovar. Viktima është dërguar në Spitalin e Mitrovicës ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore ku kanë gjetur dhe konfiskuar armën e përdorur ne rast dhe dy gëzhoja. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion ndërsa, të dyshuarit dërgohen në mbajtje.”

/GazetaSinjali/